Gjykata e Prishtinës shpall fajtorë tre të akuzuarit për rastin “Banjskë”/ Burgim të përjetshëm për dy terroristët, 30 vjet për të tretin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, të ndodhur më 24 shtator 2023.
Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim.
Vendimi u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga Ngadhnjim Arni, me anëtarë Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli.
Në seancë ishte i pranishëm vetëm Maksimoviq, ndërsa dy të tjerët munguan.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.
Ngjarja e rëndë e Banjskës tronditi Kosovën dhe rajonin, kur një grup i armatosur serbësh me armatim të rëndë bllokoi urën në fshat dhe sulmoi Policinë e Kosovës që kishte shkuar për të hequr kamionin nga rruga.
Gjatë përleshjes u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën dhe u lënduan. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i sulmuesve ishte që ta shkëpusnin veriun e Kosovës dhe ta bashkonin me Serbinë, duke rrezikuar jetën e policëve dhe të popullatës civile.
Tre të dënuarit janë pjesë e një grupi prej 45 personash ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas ngjarjes, ku përfshihet edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cilësuar si “kreu i grupit terrorist”.
Gjykata vendosi ta veçojë procedurën për Spasojeviqin, Toliqin dhe Maksimoviqin, të cilët ndodhen në paraburgim që nga shtatori i vitit 2023, ndërsa për 42 të tjerët refuzoi kërkesën e Prokurorisë për gjykim në mungesë.
Në Serbi, ndërkohë, nuk është ngritur asnjë aktakuzë përkundër thirrjeve të BE-së dhe NATO-s që autorët e sulmit të mbahen përgjegjës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




