Golden Eagle Ylli forcon kreun në Tiranë

Basketboll | 5 vite më parë

Golden Eagle Ylli, jo vetëm që ka forcuar kreun e renditjes në Ligën Unike, Shqipëri – Kosovë, por ka fituar bindshëm dhe me diferencë të thellë pikësh ndaj Tiranës. Gjithçka ka ndodhur në ndeshjen, e cila të shtunën është luajtur në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” dhe që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa në fund janë fiksuar shifrat 103-71 për skuadrën nga Suhareka.

Në fakt, Tirana ka bërë një periodë të parë shumë të mirë, sepse nga disavantazhi 8-13 ka përmbysur në 14-13. Herë njëra e herë tjetra skuadër në avantazh dhe në fund të periodës së parë janë shifrat e barabarta, 23-23. “Tatëpjeta” për bardheblutë ka nisur që nga perioda e dytë, ndërsa Golden Eagle Ylli ka një shënjestër perfekte edhe në gjuajtjet për tre pikë. 19-29 perioda e dytë për Golden Eagle Ylli, që në pushim ka kryesuar 42-52.

Edhe pas pushimit gjendja nuk ndryshon për Tiranën, kurse Golden Eagle Ylli vijon të thellojë. 12-22 perioda e tretë dhe në total 54-74 për ekipin mik. Situata është pa kthim, ndërsa Golden Eagle Ylli fiton dhe periodën e katërt 17-29 dhe në përfundim 71-103.

Sakaq Rahoveci ka mundur Kamza Basket, 98-56. Të dielën, në ora 19:00, në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar do të vijë drejtpërsëdrejti ndeshja Vllaznia – Peja, ndërsa Prizreni-16 do të presë Teutën në ora 17:00 për të mbyllur kështu javën e gjashtë të Ligës Unike, Shqipëri – Kosovë, në basketboll për meshkuj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme