Gradat shkencore dhe titujt akademikë, kriteret e reja për aktorët, regjisorët, muzikantët, artin pamor dhe balerinët

Artistët në fushat e aktrimit, regjisë, muzikës, artit pamor, koreografisë etj., të cilët aplikojnë për fitimin e titullit akademik “Profesor i asociuar”, duhet të kenë zhvilluar, si dhe do të duhet zhvillojnë veprimtari kërkimore shkencore në fushën e krijimtarisë artistike, e cila reflektohet në realizimin e një sërë detyrimesh.
Kjo është përcaktuar të mërkurën në vendimin e qeverisë ku janë përcaktuar kritere të reja fitimin e gradave shkencore dhe të titujve akademikë si “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor”.
Kriteret në fushën e muzikës
Për kompozitorët kërkohen, krijime të veprave të luajtura në skena që përfshijnë formën e sonatës ciklike (vepra me më shumë se 2 kohë) ose vokalo-sinfonike. Ndërsa për instrumentistët, interpretime vepër/a solistike në formën e sonatës ose ciklike (vepra me më shumë se 2 kohë).
Për këngëtarët lirikë, interpretime në rol kryesor në opera, kurse për dirigjentët, drejtim në skenë vepra sinfonike, ciklike (vepra me më shumë se 2 kohë), vokalo-sinfonike ose opera.
Aktorët dhe regjisorët
Vendimi përcakton se për aktorët, që të marrin titullin “Profesor i Asociuar” kërkohen interpretime në role kryesore në teatër ose në film. Ndërsa për regjisorët, vendosje në skenë të veprave teatrore, filmike, ose televizive. Kurse për skenografët/kostumografët, kërkohet vendosja në skenë e shfaqjeve teatrore, televizive, operistike/balet ose në film artistik.
Piktorët dhe skulptorët
Për krijuesit e arteve pamore dhe të aplikuara, kërkohet që për marrjen e titullit akademik duhet hapja e ekspozitës personale, krijimi i veprave publike monumentale ose perfomancë artistike pamore në arenën kombëtare.
Balerinët dhe koreografët
Për koreografët, vendimi përcakton vendosje në skenë të një vepre baleti ose performancë në televizion. Ndërsa për balerinët, interpretime në role kryesore në skenë në balet ose të performancës në televizion.
Secila nga kategoritë e përcaktuara në këtë pikë duhet të ketë marrë pjesë, së paku, në 5 (pesë) realizime artistike si solist, vepra, ekspozita, vënie në skenë apo role të spikatura në veprimtari (festivale, sezone, etj.) të njohura kombëtare ose ndërkombëtare, ku, së paku, 2 (dy) nga veprat të jenë luajtur me trupa ndërkombëtare (instrumentistë të shquar, ansamble të rëndësishme, orkestra dhe trupa operistike, regji apo role, në shfaqje/filma etj., ose veprimtari ekuivalente në artet pamore dhe të aplikuara) në një veprimtari ndërkombëtare (festival, sezone).
“Vepra/performanca të jetë pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak dhe të jetë botuar në katalogët/agjendat përkatëse dhe të jetë shoqëruar me kritikën përkatëse profesionale.”, thuhet në vendim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




