Grumbullimi i bimëve mjekësore, fermerët: Këtë vit më shumë të ardhura

Aktualitet | 3 muaj më parë

Në qarkun e Korçës ka nisur sezoni i grumbullimit të bimëve medicinale, ku gjatë kësaj periudhe po mblidhen kryesisht lule cjani dhe çaji i malit.

Kërkesa për këto bimë mbetet e lartë, ndërsa sipas grumbulluesve, këtë vit çmimet janë më të mira krahasuar me vitet e kaluara, duke i bërë më fitimprurëse për fermerët.

“Në rajonin e Korçës, që nga Pogradeci, Korça, Devolli dhe Erseka, është kultivuar masivisht shafrani blu dhe ky kërkohet edhe në tregun ndërkombëtar. Për këtë produkt fermerët janë përfituesit më të mëdhenj, krahas edhe eksportuesve. Çmimi i shafranit ka qenë shumë herë më i lartë se çdo vit tjetër. Vjet shkonte 12.000 ALL të vjetra, kurse sivjet në 16.000 ALL të vjetra, gjithmonë grumbullimi i tyre. Ka rifilluar edhe kultivimi i çajit të malit. Para pesë vitesh shkoi 500 ALL të vjetra, këtë vit shkoi 13.000 ALL të vjetra”, tha Gjergji Çibuku, grumbullues dhe eksportues

Fermerët që prej vitesh kultivojnë dhe grumbullojnë bimë medicinale shprehen të kënaqur me ecurinë e sezonit. Ata thonë se rritja e çmimeve ka ndikuar pozitivisht në të ardhurat e tyre dhe i ka nxitur të vazhdojnë punën në këtë sektor.

Qarku i Korçës mbetet një nga zonat me potencialin më të madh në vend për bimët medicinale dhe aromatike, ndërsa prodhimi i grumbulluar eksportohet kryesisht drejt tregjeve evropiane, ku vlerësohet për cilësinë dhe standardet që ofron.

Gazetare: G.  Manushi  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme