Guvernatori Sejko: Shqipëria në nivelin e tregut evropian të pagesave, sistemi bankar i fortë dhe prioritet modernizi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në punimet e Forumit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), i cili po zhvillohet në Vjenë, Austri, nën organizimin e FT Live.
Ky forum mbledh përfaqësues të lartë institucionalë, ekspertë ekonomikë dhe drejtues të institucioneve financiare, duke shërbyer si një platformë diskutimi mbi sfidat dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik në rajon.
Në kuadër të punimeve, një vëmendje e veçantë iu kushtua Shqipërisë përmes një tryeze të posaçme diskutimi, ku Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Ai theksoi rëndësinë e investimeve të huaja direkte si një faktor kyç për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe forcimin e qëndrueshmërisë makroekonomike.
Sejko u ndal edhe në sektorin bankar shqiptar, duke nënvizuar se treguesit financiarë konfirmojnë një sistem bankar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj goditjeve të jashtme, i cili është i aftë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Guvernatori theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në drejtim të modernizimit të infrastrukturës financiare, përfshirë përmirësimin e sistemeve të pagesave dhe forcimin e mbikëqyrjes bankare, si dhe avancimin e agjendës së integrimit evropian.
Në këtë kontekst, Sejko vuri në dukje se aderimi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) përbën një hap strategjik të rëndësishëm, duke e pozicionuar vendin në të njëjtin nivel funksional me tregun evropian të pagesave dhe duke lehtësuar transaksionet financiare për qytetarët dhe bizneset.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




