Hasani në Bruksel: Shqipëria e vendosur në forcimin e vlerave demokratike

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka theksuar se Shqipëria është e vendosur në ndjekjen e axhendës së saj për integrimin në BE dhe forcimin e vlerave demokratike në vend.
Gjatë një takimi jozyrtar në Bruksel të Këshillit të Çështjeve të përgjithshme, Hasani theksoi dhe reformën e thellë në drejtësi që është bërë dhe po vijon në vendin tonë.
“Në takimin jozyrtar ministror të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel, ritheksova angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për axhendën e integrimit në BE. Rruga e reformave të vazhdueshme, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, të cilën Shqipëria e ka udhëhequr përmes një reforme gjithëpërfshirëse dhe transformuese në drejtësi, mbetet vendimtare për forcimin e vlerave demokratike dhe sigurimin e progresit ekonomik. Ne presim me padurim zbatimin e shpejtë dhe në kohë të Planit të Rritjes, si pjesë e integrimit të përshpejtuar dhe jemi gati për të filluar negociatat për grupin themelor”, tha hasani.
Takimi i ministrave të BE-së i kushtohet 20 vjetorit të zgjerimit të BE-së, kur 10 shtete të reja anëtare u bashkuan me BE-në (2004).
Axhenda e takimit përfshin procesin e zgjerimit të BE-së dhe diskutimin e mësimeve të valës së mëparshme të zgjerimit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet forcimit të BE-së dhe mjeteve të saj, duke përfshirë sundimin e ligjit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




