Helikopteri rus shkel hapësirën ajrore të Polonisë për 42 sekonda, ngrihen avionët luftarakë

Botë | 45 minuta më parë

Një helikopter ushtarak rus Mi-8 ka shkelur për 42 sekonda hapësirën ajrore të Polonisë, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të forcave të armatosura polake. Incidenti ndodhi mëngjesin e së mërkurës, 23 shtator, pranë kufirit me rajonin rus të Kaliningradit.

Sipas Komandës Operative të Forcave të Armatosura të Polonisë, helikopteri hyri në hapësirën ajrore polake nga drejtimi i Kaliningradit dhe depërtoi rreth 300 metra në territorin ajror të vendit, ku qëndroi për 42 sekonda.

Fluturimi u monitorua nga sistemet e radarit të ushtrisë polake. Menjëherë pas konstatimit të shkeljes, avionët luftarakë polakë u ngritën në ajër, ndërsa forcat tokësore dhe mjetet ushtarake u vendosën në gatishmëri.

Komanda Operative polake deklaroi se natyra e incidentit, sipas vlerësimit të saj, tregon se Rusia po teston gatishmërinë e mbrojtjes ajrore të Polonisë. Ambasada ruse në Varshavë nuk kishte dhënë menjëherë një reagim lidhur me incidentin, sipas Reuters.

Ngjarja ndodh në një periudhë të rritjes së vigjilencës së Polonisë për shkak të sulmeve ruse ndaj Ukrainës. Vetëm ditët e fundit, ushtria polake ka aktivizuar operacione të aviacionit ushtarak dhe ka vendosur në gatishmëri sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe njësitë e zbulimit radarik.

Ndërkohë, Rusia ka vijuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës. Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet me dronë kanë goditur edhe Kievin dhe qytete të tjera, ndërsa përdorimi i dronëve të rinj me motor reaktiv po paraqet vështirësi shtesë për mbrojtjen ajrore ukrainase.

Incidenti në hapësirën ajrore polake vjen pas disa rasteve të fundit që kanë rritur gatishmërinë e vendeve të NATO-s në krahun lindor të Aleancës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme