Heqja e masave të BE për Kosovën, Kurti: Mirëpresim vendimin, ishin të padrejta që në ditën e parë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mirëpritur largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Në fjalën e tij në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, Kurti i konsideroi masat si të padrejta që në ditën e parë.
“Ne e mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian për t’i hequr masat që ishin vendosur Kosovës. Ato ishin të padrejta që në ditën e parë, sepse së pari institucionet e Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë”, tha ai.
Kurti nënvizoi se çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit në veri të vendit do të ishte fatal për Kosovën, teksa u ndal më tej te sulmet terroriste serbe në Banjskë në vitin 2023 dhe atë në Varagë në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Republika e Kosovës dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve terroriste, prej të cilave dy me pasoja të rënda, ai në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi ynë Afrim Bunjaku, dhe tjetri në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor të vitit 2024. Për të dy këto sulme tashmë ka aktakuza të ngritura. Për rastin e Banjskës të gjitha provat dëshmojnë për një plan të përgatitur me përfshirjen dhe financimin e shtetit të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes strukturave paramilitare, pas një konflikti që do të zgjerohej. Po të mos ishin vendimet me kohë dhe reagimi i shpejtë i policisë, mëngjesi i 24 shtatorit të vitit 2023 do të na zbardhte një realitet krejtësisht tjetër në terren. Ndërkaq, për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit konfirmohet përfshirja e strukturave ilegale të Serbisë dhe vetë shtetit të Serbisë. Në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Kosovën. Situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veri është pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik”, shtoi Kurti.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




