Hokej në akull/ SHBA-Kanada, një sfidë gjigantësh që vlejnë nga 400 milionë dollarë!

Evente Sportive | 9 muaj më parë

Mbi akull është ‘National Hockey League’ dhe pastaj janë të tjerët. Kampionati më i mirë, arenat më të mira dhe natyrisht, lojtarët më të mirë.

Nga Sochi 2014 në Milano Cortina krisja mes Ligës amerikano-veriore dhe Cio-s ka privuar spektaklin e dy edicioneve të Lojërave Dimërore të aktorëve më të kërkuar. Pritja përfundoi. Interesi në SHBA, Kanada dhe vendet europiane, ku hokej në akull është shumë më shumë se kalim kohe, po arrin nivele të lara.

E kujtoni arritjen e 1980-ës, që frymëzoi filmin e mrekullueshëm të 2004-ës me Kurt Russell në rolin e Herb Brooks, trajnerit që udhëhoqi një skuadër diletantësh e studentësh drejt medaljes olimpike të artë, duke mundur në finale ish-Bashkimin Sovjetik? Ajo në Lake Placid në hokej është e arta e fundit e SHBA-ve në Lojërat Olimpike. Sepse mjeshtrit janë ata me fanellën e kuqe me gjethe të stampuar në gjoksin e Connor McDavid, Nathan MacKinnon dhe të pavdekshmit Sidney Crosby, një hero kombëtar në vendin e tij.

Nëntë të arta për Kanadanë, dy për SHBA-të. Medaljerja historike është lapidar dhe kombëtarja e Mike Sullivan, 46 vite pas magjive të Neal Broten dhe skuadrës legjendare, do të përpiqet të ngushtojë diferencën, duke rikthyer krenarinë amerikane.

Sfida ka nisur dhe nga Los Angeles në Ottawa pritet përballja për të artën si një tjetër Super Bowl pas atij që do të zhvillohet mbrëmjen e së dielës në New Orleans.

Skuadra nga 400 milionë dollarë

SHBA-të dhe Kanadaja nuk janë të vetmet që kanë në skuadër yje Nhl. Sigurisht, janë favorite dhe duke mbledhur pagat vjetore të lojtarëve të dy kombëtareve, shuma shkon në 393 milionë dollarë. Më i paguari është amerikani Auston Matthews, i cili luan në Toronto me Maple Leafs dhe fiton 13.25 milionë dollarë në vit. Pak më shumë se kanadezët McDavid (12.5 milionë) dhe MacKinnon (12.6).

Mes yjeve që kanë më shumë pritshmëri janë Jack Eichel (Vegas Golden Knights, 10 milionë), vëllezërit Brady (Ottawa Senators) Matthew Tkachuk (Florida Panthers) dhe dy kolonat e tjera të skuadrës amerikane, Tage Thompson (Buffalo Sabres) dhe Clayton Keller (Utah Mammoth), protagonistë të Botërorit të fituar në maj, duke fshirë boshllëkun që zgjaste nga viti 1933.

Sport dhe politikë

Është pikërisht ai sukses, që rrit ambiciet për të mundur rivalët kanadezë në një moment historik, ku tensioni politik i presidentit Donald Trump ka pasur ndikim edhe në sport. Askush nuk i ka harruar polemikat institucionale me kryeministrin Trudeau gjatë Four Nations një vit më parë, të fituar nga  Kanadaja pas një finaleje të fortë kundër SHBA-ve (3-2 në kohën shtesë).

Rivalët do të debutojnë më 12 shkurt: më 16.40 Kanada-Republika Çeke, në grupin A bashkë me Zvicrën dhe Francën; në 21.10 SHBA-Letoni, në grupin C me Gjermaninë dhe … Danimarkën për një tjetër përballje po ashtu edhe jashtë sportit, po të kemi parasysh çështjen e Groenlandës.

Luhet në “Arena Santagiulia”, ku në fillim të janarit mbërritën 150 gazetarë nga e gjithë bota dhe patën kritika për strukturën, që nuk u vlerësua në lartësinë e standardeve Nhl. Dyshime që në këtë moment ia kanë lënë vendin entuziazmit për një turne që e pret gjysma e botës. Le të shijojmë spektaklin, janë më të mirët në botë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme