Hoteli përfshihet nga zjarri në Lungomare të Vlorës, panik te pushuesit. 6 të plagosur, 2 dërgohen te “Trauma”, pësuan djegie të mëdha
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë gjatë orëve të para të mëngjesit një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, duke shkaktuar panik të madh mes pushuesve dhe turistëve si dhe duke lënë disa persona të plagosur.
Flakët dyshohet se kanë nisur në katin e parë të objektit, ku ndodhej një lokal, dhe më pas janë përhapur me shpejtësi drejt katit të dytë, ku ndodheshin dhomat e hotelit. Brenda pak minutash, tymi i dendur dhe flakët përfshinë pjesë të ndërtesës, duke i detyruar pushuesit të largoheshin me nxitim.
Situata u bë veçanërisht e rrezikshme për personat që ndodheshin në katet e dyta. Në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit, dy persona u detyruan të hidheshin nga ballkoni. Ata kanë pësuar dëmtime dhe fraktura dhe janë marrë nën kujdesin e mjekëve.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një situatë kaotike, me pushuesit që dalin të alarmuar nga hoteli, ndërsa tymi i zi dhe flakët përfshijnë ndërtesën. Në zonë mbërritën forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës, të cilat ndërhynë për shuarjen e flakëve dhe nxjerrjen e personave nga godina.
Pas ngjarjes, 6 persona kanë mbetur të plagosur, 5 prej tyre shqiptarë të Kosovës dhe 1 nga Rrësheni. Të lënduarit janë identifikuar si A. Dyrmishi, 25 vjeç; A. Rexhepi, 27 vjeçe; N. Rexhepi, 25 vjeç; E. Grainca, 20 vjeç; A. K., 30 vjeç; dhe L. Saliu, 21 vjeç.
Gjendja më e rëndë raportohet për një vajzë të re, e cila ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit. Një tjetër pacient ka djegie në rreth 50% të trupit.
Pasi kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës, 5 prej tyre janë nisur më pas drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Dy të dëmtuar janë transportuar në Qendrën e Traumës, ndërsa tre të tjerë janë dërguar në repartin e djegieve në QSUT. Një tjetër person vijon të trajtohet në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Vlorës.
Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, ka treguar për situatën me të cilën u përball stafi mjekësor pas mbërritjes së të plagosurve.
“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë”, tha mjeku.
Breshanaj bëri me dije se dy pacientë u nisën drejt Qendrës së Traumës për shkak të dëmtimeve të marra nga rënia, ndërsa tre të tjerë u dërguan në repartin e djegieve.
“Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, u shpreh shefi i Reanimacionit.
Pas këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë, grupi hetimor ka dalë në përfundimin se zjarri ka qenë aksidental.
Sipas policisë, flakët janë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit të hotelit.
“Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





