Zjarri në hotelin në Vlorë, shefi i Reanimacionit: 5 të lënduar u dërguan në Tiranë. Një e re rrezikon jetën, është djegur pothuajse 100%
Gjashtë persona të dëmtuar nga zjarri që përfshiu një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa pesë prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, ka dhënë detaje për gjendjen e pacientëve dhe momentet e para pas mbërritjes së tyre në spital.
Sipas tij, situata ka qenë tejet emergjente, pasi në mesin e të dëmtuarve kishte persona me djegie të rënda, por edhe pacientë që ishin hedhur nga kati i dytë i hotelit për t’u shpëtuar flakëve.
“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës”, deklaroi Breshanaj.
Dy prej pacientëve u nisën drejt Qendrës së Traumës në Tiranë, pasi kishin pësuar dëmtime nga rënia, ndërsa tre të tjerë u transportuan drejt repartit të djegieve në QSUT.
“Dy prej tyre i nisëm në qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë”, tha shefi i Reanimacionit.
Gjendja më e rëndë paraqitet te një paciente e re, e cila ka pësuar djegie në pothuajse të gjithë sipërfaqen e trupit dhe ndodhet në rrezik për jetën. Sipas Breshanajt, të dëmtuarit janë kryesisht të rinj
“Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




