Hoxha takim me Komisioneren Kos në Dublin: Shqipëria e vendosur për të ruajtur ritmin e negociatave të anëtarësimit në BE

Politikë | 2 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme që po mbahet në Dublin.

“Kënaqësi të takohem dhe të bisedoj me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, që zhvillohet gjatë këtyre dy ditëve në Dublin. Nuk do të humbasim kurrë asnjë shans për të qenë të pranishëm kudo që flitet për zgjerimin, për të paraqitur modelin e Shqipërisë; dhe kudo që zgjerimi është në axhendë, Marta Kos është aty për ta çuar procesin përpara”, u shpreh Hoxha në një postim në X.

Gjatë takimit, u shkëmbyen mendime mbi dinamikën aktuale të procesit të anëtarësimit, perspektivat e tij dhe rëndësinë e ruajtjes së ritmit dhe momentumit të negociatave.

“Për Shqipërinë, objektivi mbetet i qartë: të ecim përpara me vendosmëri dhe të mbyllim sa më shumë kapituj negociues të jetë e mundur këtë vit, duke vazhduar të zbatojmë reformat dhe angazhimet. Ne mbetemi plotësisht të përqendruar në punën përpara dhe të vendosur për të ruajtur ritmin e negociatave”, theksoi ministri.

Ai nënvizoi se zgjerimi ka të bëjë me “meritën, momentumin dhe rezultatin”, duke shtuar se “Shqipëria është gati për të treja”.

Takimi në Dublin u cilësua si një mundësi e rëndësishme për të riafirmuar angazhimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe për të theksuar vendosmërinë për të ruajtur ritmin e negociatave të anëtarësimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme