Hoxha takim me Nënsekretaren e Shtetit Allison Hooker: Shqipëri-SHBA avancojnë interesat e përbashkëta

Politikë | 2 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA-së, Allison Hooker, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit.

Në një postim në platformën X, Hoxha e cilësoi takimin si një vazhdim të diskutimeve të zhvilluara në korrik në Uashington, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ishte kënaqësi të takohesha me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker. Riafirmuam rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA dhe angazhimin tonë të përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh në fushat me interes të ndërsjellë”, shkroi Hoxha.

Ai bëri të ditur se gjatë takimit u shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri, si dhe mbi bashkëpunimin brenda NATO-s, veçanërisht pas Samitit të Aleancës në Ankara dhe përpara Samitit të ardhshëm që do të mbahet në Shqipëri.

“Diskutuam mjedisin e sigurisë dhe zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke riafirmuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në mbështetje të stabilitetit dhe sigurisë rajonale”, theksoi ministri.

Hoxha nënvizoi se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara nga një partneritet i gjatë, i rrënjosur në vlerat demokratike, solidaritetin transatlantik dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë.

“Ne mezi presim të vazhdojmë dialogun dhe bashkëpunimin tonë të ngushtë, me fokus në arritjen e rezultateve të prekshme që avancojnë interesat tona të përbashkëta dhe u sjellin dobi të dy vendeve tona”, përfundoi Hoxha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme