Humbën gjyqin/ Princ Harry dhe gjashtë të tjerë urdhërohen të paguajnë 9.5 mln paund për kostot ligjore të Daily Mail

Princi Harry dhe gjashtë paditës të tjerë të profilit të lartë janë urdhëruar të paguajnë një shumë paraprake prej 9.54 milionë paundësh për kostot ligjore të botuesit të Daily Mail, pasi humbën çështjen gjyqësore lidhur me akuzat për mbledhje të paligjshme të informacionit.
Gjykatësi ka vendosur që pagesa të kryhet deri në orën 16:00 të 28 gushtit, si pjesë e kostove të procesit gjyqësor.
Mes paditësve, përveç Dukës së Sussex-it, janë edhe Doreen Lawrence dhe muzikanti Elton John. Ata kishin akuzuar kompaninë Associated Newspapers Ltd (ANL), botuese e Daily Mail, për mbledhje të paligjshme të të dhënave dhe informacionit personal.
ANL i ka mohuar fuqishëm të gjitha akuzat. Muajin e kaluar, gjyqtari Nicklin hodhi poshtë të gjitha paditë pas një procesi gjyqësor që zgjati 11 javë në Londër.
Gjykata është informuar se kostot totale ligjore të ANL kanë kaluar 34 milionë paund. Pagesa prej 9.54 milionë paundësh është një pagesë e ndërmjetme, ndërsa çështja e shumës përfundimtare të kostove ligjore do të përcaktohet më tej nga gjykata.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




