Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia

Shefi i politikës së jashtme hungareze tha të shtunën se vendimi i Komisionit Evropian për të mos ndërmjetësuar në një mosmarrëveshje mbi bllokimin e furnizimeve me naftë nga Rusia nëpërmjet Ukrainës drejt vendit të tij, lë të kuptosh se Brukseli qëndronte pas bllokimit.
Hungaria dhe Sllovakia kanë protestuar që kur Ukraina e vendosi në qershor prodhuesin rus të naftës, Lukoil, në një listë sanksionesh, duke ndaluar kalimin e naftës ruse nëpër territorin ukrainas drejt rafinerive sllovake dhe hungareze.
Akuza pa prova nga Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, vjen një ditë pasi Komisioni Evropian refuzoi një kërkesë nga Hungaria dhe Sllovakia për të ndërmjetësuar me Ukrainën lidhur me sanksionet në fjalë.
“Fakti që Komisioni Evropian deklaroi se nuk ishte i gatshëm të ndihmonte për të siguruar furnizimin e Hungarisë dhe Sllovakisë me energji, sugjeron se urdhri u dërgua nga Brukseli në Kiev për të shkaktuar sfida dhe probleme në furnizimin me energji të Hungarisë dhe Sllovakisë”, tha zoti Szijjarto gjatë një takimi.
KE, i cili e ka mbështetur Ukrainë që nga fillimi i agresionit të Rusisë në vitin 2022, u ka kërkuar vazhdimisht vendeve të BE-së që t’i japin fund varësisë nga furnizimet me energji nga Moska. BE-ja ka vendosur sanksione ndaj shumicës së importeve të naftës ruse.
Sllovakia dhe Hungaria janë vende anëtare të bllokut dhe e kanë kundërshtuar ndihmën ushtarake të aleatëve perëndimorë për Ukrainën, ndërsa ai vend lufton kundër pushtuesve rusë.
Dega jugore e tubacionit kalon përmes Ukrainës në Republikën Çeke, Sllovaki dhe Hungari dhe ka shërbyer si burimi kryesor i furnizimit të rafinerive të tyre për vite me radhë.
Muajin e kaluar zoti Szijjarto bëri komente të ngjashme ndërsa e akuzoi Komisionin Evropian për shantazh lidhur me mosmarrëveshjen për naftën, duke thënë se ndoshta “Brukseli, jo Kievi, ishte ai që kurdisi gjithçka”.
Një zyrtar i qeverisë hungareze tha të enjten se kompania hungareze e naftës “MOL” ishte në fazat përfundimtare të diskutimeve për të krijuar një mënyrë që do të siguronte furnizimin me naftë të papërpunuar nga Rusia citon VOA.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




