Hungaria kushtëzon sërish Ukrainën, Peter Magyar kërkon më shumë të drejta për pakicat para hapjes së negociatave
Hungaria vazhdon të mbetet një pengesë e fortë për integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian përmes kërkesave të saj të fundit. Sipas mediave ndërkombëtare, kryeministri i ardhshëm Peter Magyar ka paraqitur kushte specifike që lidhen me mbrojtjen e pakicës hungareze.
Gjatë bisedimeve me Antonio Costën në Bruksel, ai bëri të qartë se Budapesti kërkon zgjerimin e të drejtave për bashkëkombësit e tij që jetojnë në Ukrainë. Ky qëndrim pasqyron vijën e ashpër që ka ndjekur deri më tani lideri aktual Viktor Orban sa i përket zgjerimit të bllokut.
“Kërkojmë qasje të plotë në arsimin në gjuhën amtare dhe mbrojtje të identitetit kulturor”, mësohet të jetë shprehur pala hungareze gjatë takimit. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian po përpiqet me çdo kusht të bindë Hungarinë që të heqë bllokadën ndaj Kievit zyrtar.
Diplomatët në Bruksel e konsiderojnë nisjen e negociatave si një hap jetik për perspektivën dhe sigurinë e rajonit. Megjithatë, kërkesat e Budapestit për garanci shtesë po kthehen në një nyje të vështirë për t’u zgjidhur në tryezat diplomatike.
Përshpejtimi i integrimit të vendeve të Evropës Lindore mbetet prioritet, por vetoja hungareze po e mban procesin sërish të pezulluar, ndersa pritet të shihet nëse Ukraina do të bëjë lëshime sa i përket ligjeve për pakicat që të zhbllokojë rrugën drejt anëtarësimit.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




