I nxehti, shtohen kontrollet në blegtori. Veterinerët monitorojnë tufat në Gjirokastër për të parandaluar sëmundjet

Aktualitet | 4 muaj më parë

Temperaturat e larta të kësaj periudhe kanë rritur vigjilencën e shërbimit veterinar në qarkun e Gjirokastrës, ku monitorimi i situatës epidemiologjike te bagëtitë po kryhet çdo ditë. Specialistët janë në terren për të ndjekur nga afër gjendjen në fermat blegtorale, me synimin për të parandaluar shfaqjen dhe përhapjen e sëmundjeve që favorizohen nga i nxehti.

“Për momentin përparësia kryesore është monitorimi i sëmundjes së PPR-së, i murtajës së të imtave, ku ne bëjmë kontroll dhe raportim ditor në drejtori dhe në qendër për situatën e PPR-së në fermat tona. Kemi situatën për sëmundjen e plasjes, kemi një rast vatër të re në Përmet. Në bazë të strategjisë janë marrë masat për vendosjen në karantinë, për vaksinimin unazor, për vaksinimin e pjesës ku ka rënë sëmundja edhe për ndjekjen e situatës pastaj në të gjithë qarkun. Kishim vetëm një rast në qarkun Gjirokastër me sëmundjen e brucelozës u morën masat në bazë të strategjisë”, tha veterineri Krenar Veliu.

Ndërkohë, shërbimi veterinar u bën thirrje blegtorëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe, duke respektuar masat higjieno-sanitare në ferma dhe duke njoftuar menjëherë veterinerët për çdo shenjë të dyshuar sëmundjeje.

“Ju bëj thirrje fermerëve që të bashkëpunojmë me shërbimin veterinar, bashkëpunojmë me veterinerët për çdo rast, qoftë për sëmundjen e plasjes, qoftë për sëmundjen e brucelozës, kur ka raste të dyshuara që me atë formim që kanë ata”, tha ai.

Bashkëpunimi mes blegtorëve dhe specialistëve, sipas Veliut, mbetet elementi kyç për mbrojtjen e shëndetit të tufave dhe për garantimin e sigurisë së prodhimit blegtoral.

Gazetare: L. Koçiu    

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme