Këshilli i Investimeve/ Ibrahimaj: Objektiv, digjitalizimi i shërbimeve vendore, forcimi i administratës tatimore dhe mbështetja për SME-të

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtoi mbledhjen e radhës të Këshillit të Investimeve, ku u prezantuan pritshmëritë e biznesit mbi digjitalizimin e shërbimeve vendore, draft rekomandimet përkatëse, si dhe gjetjet e anketës kombëtare 2015–2025 mbi klimën e investimeve. Diskutimet u fokusuan tek ndërveprimi me administratën tatimore, sfidat e futjes në tregun e përbashkët europian dhe sugjerimet mbi planin e punës së Këshillit për vitin 2026.
Ministrja Ibrahimaj theksoi angazhimin maksimal për përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian dhe mbështetjen e biznesit në këtë proces. “Janë kritere, standarde, kërkesa, që do të duhet të zbatohen nga biznesi shqiptar, ekonomia shqiptare, dhe kjo paraqet një sfidë të madhe për të gjithë ne. Por ama paraqet edhe një mundësi të madhe”, u shpreh ajo.
Gjatë mbledhjes, ministrja nënvizoi rëndësinë e unifikimit dhe modernizimit të shërbimeve vendore, nevojën për transparencë të lartë, vendosjen e treguesve të matshëm dhe koordinim të qëndrueshëm mes nivelit qendror dhe vendor. Ajo shtoi se përmirësimi i mjedisit fiskal dhe rritja e besimit të biznesit mbeten prioritete kryesore. Për vitin 2026, Ibrahimaj renditi si objektiva digjitalizimin e shërbimeve vendore, forcimin e administratës tatimore, mbështetjen për SME-të në procesin e tranzicionit europian dhe miratimin e rekomandimeve të Këshillit të Investimeve si bazë e punës.
Ministria informoi gjithashtu mbi disa iniciativa të ndërmarra në drejtim të formalizimit dhe rritjes së transparencës, duke synuar uljen e kostove për bizneset dhe krijimin e një klime investimi më moderne, konkurruese dhe të përafruar me standardet e BE-së.
Në takim mori pjesë edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, i cili vlerësoi se digjitalizimi i shërbimeve nga bashkitë do të sjellë përmirësim për sipërmarrjen dhe qytetarët, edhe pse është një proces që kërkon kohë. Mbledhja mblodhi përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore, si dhe bizneset vendase e të huaja që operojnë në Shqipëri.
Gjetjet kryesore
Analiza e zhvilluar me pjesëmarrjen e 166 bizneseve dhe bashkive tregoi se panorama e aksesit në shërbimet digjitale vendore mbetet e fragmentuar dhe jo e unifikuar me shërbimet qendrore. Bashkitë përballen me kapacitete të kufizuara teknike dhe mungesë treguesish të qartë performance. Bizneset shprehën mbështetje për digjitalizimin, por kërkuan thjeshtim dhe standardizim të shërbimeve, ulje të kontaktit fizik dhe konsultim gjithëpërfshirës për transparencë më të madhe mbi taksat dhe vendimmarrjen vendore.
U theksua gjithashtu se Kadastra Fiskale nuk funksionon, pavarësisht bazës ligjore ekzistuese. Rekomandimet për vitin 2026 përfshijnë vendosjen e treguesve të matshëm të performancës për shërbimet bashkiake, harmonizimin e shërbimeve vendore me ato qendrore, shkëmbimin e detyrueshëm të të dhënave midis DPT-së dhe bashkive, si dhe mbështetje për SME-të në adoptimin e shërbimeve digjitale.
Klima e investimeve
Anketa kombëtare me 188 biznese për periudhën 2015–2025 evidentoi disa zhvillime pozitive, por edhe sfida të rëndësishme. Administrata tatimore është vlerësuar për përmirësim në komunikim dhe profesionalizëm, raportim më të qartë tatimor dhe rritje të vendimeve të apelimit në favor të bizneseve. Sistemet digjitale janë përmirësuar ndjeshëm pas vitit 2022, megjithatë subjektet ende kërkojnë kontakt të drejtpërdrejtë me telefon.
Sa i përket TVSH-së, 90% e kompanive që aplikojnë marrin rimbursimin, me rritje të rimbursimit automatik, por vetëm gjysma e bizneseve aplikojnë për shkak të perceptimit mbi mungesën e besimit.
Informaliteti mbetet i lartë, i perceptuar nga 7 në 10 kompani, kryesisht në formën e shmangies së taksave dhe punës në të zezë, të nxitur nga korrupsioni dhe konkurrenca e pandershme.
Në lidhje me integrimin në BE, vetëm 33% e bizneseve kanë informacion të mjaftueshëm mbi Agjendën e Reformave, ndërsa 70% e shohin integrimin si pozitiv. Vetëm 30% presin rritje të eksporteve pa mbështetje shtesë, duke kërkuar më shumë gjithëpërfshirje në konsultime.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







