Inceneratorët/ Ibrahimaj: Kompanitë që kryenin evazion fiskal i denoncuam në 2018! Kryemadhi: Ia pasuat topin drejtësisë

Inceneratorët kanë përplasur ministren e Financave Delina Ibrahimaj dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Denoncimi i bërë ditët e fundit nga LSI se 34 kompani i kanë kryer evazion fiskal përmes inceneratorëve, ministrja tha se administrata e saj i kishte zbuluar më parë dhe i kishte referuar në prokuroi që në 2018. Ajo hodhi akuza ndaj LSI se qëllimi i tyre është keqinformimi i publikut, ndërsa shtoi se hetimi i tyre është ende në proces.
“Unë mendoj se të gjitha institucionet duhet që t’ju bëjnë një falënderimin që na jepni rastin që të tregojmë punën e mirë të bërë nga administrate. Thoni që jemi të lidhur, bëjmë korrupsion, favorizojmë, ndërkohë që është kjo administratë pjesë e kësaj qeverie që nxori në dritë një skemë mashtrimi dhe ka filluar në vitin 2018 duke referuar 20 kompani fiktive që janë evidentuar nga administrata me qëllim për të ndaluar këtë dukur të tmerrshme të fshehjes së të ardhurave. Të dilni këtu të keqinformoni opinionin, siç bëni për çështje të tjera, siç hidhni baltë për investimet tona, misioni juaj të keqiformoni. Ka filluar me referimin në 2018, është ende në proces. Kemi çuar informacion për çdo kompani, kemi bërë vlerësime tatimore, bllokime llogarish. Dilni si hetues, tatimor, gjykatës dhe prokurorë, nxirrini në pah punën e administratës dhe unë ju falënderoj”, tha Ibrahimaj nga foltorja e Kuvendit.
Por për Kryemadhin ky justifikim i ministres është që të heq përgjegjësit nga qeveria dhe ta pasojë ‘topin’ nga drejtësia. Ajo akuzoi qeverinë se vepron me standarde të dyfishta, por tha se drejtësia do t’i vendosë në shënjestër pushtetarët.
“Në vitin 2018, financat shqiptare kanë referuar në prokurori disa kompani fiktive që kanë kryer evazion fiskal me vlera miliona dollarë. Znj. ministre e financave deklaroi sot në Kuvend që janë 500 firma private të hetuara dhe referuara në prokurori për evazion fiskal, e që është detyrë e prokurorisë hetimi i tyre dhe detyrë e gjykatës dënimi i tyre. Pra, qeveria ia la topin drejtësisë për të justifikuar hajdutërinë qeveritare me koncesionet dhe veprimet fiskale. Rezulton se në vitin 2017 disa nga këto kompani fiktive, të cilat i shikoni në foto dhe që janë pjesë e atyre të dërguara në prokurori, kanë lëshuar fatura “punimesh” tek Integrated Technology Ëaste Treatment Fier. Pra, i kanë lëshuar fatura fiktive koncesionarit të inceneratorit Fier. Me siguri që Administrata Tatimore në vitin 2018 e ka hasur dhe evazionin galopant fiskal në vlerën 2.6 mln dollarë të shoqërisë koncesionare të inceneratorit të Fierit. A është hetuar kjo kompani koncesionare nga Administrata Tatimore? Nëse po, a është referuar në prokurori? Nëse jo, pse? Nëse po, pse kanë vazhduar pagesat nga buxheti i shtetit deri në vitin 2020, për një kompani koncesionare që ka bërë evazion fiskal???. Parimi “ca të nënës, e ca të njerkës” nuk mund të funksionojë në një shtet të së drejtës. Ndaj transparenca totale, për çdo koncesion dhe fond publik, është rruga e vetme e duhur për të mbrojtur interesin kombëtar. Koha e drejtësisë që t’i trajtojë njësoj përpara ligjit, si qytetarët dhe pushtetarët”, u shpreh Kryemadhi.
Prej disa ditësh LSI ka denoncuar disa kompani se kanë kryer evazion fiskal përmes inceneratorëve, ku pronar të disa kompanive miliona dollarësh rezultonin në pronësi të një çifti pensionistësh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




