Incident gjatë rinumërimit të votave për Tiranën, KAS përjashton nga procesi Asllan Dogjanin

Teksa në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë vijon procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës, tensionet nuk kanë munguar. Gjatë ditës së hënë, kandidati i PD, Asllan Dogjani, ka shkaktuar përplasje me anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, duke ngritur pretendime për manipulim të votave në dëm të tij.
Shkak për debatin është bërë një fletë votimi që, sipas Dogjanit, pavarësisht një shënimi jashtë kutisë, shprehte qartë vullnetin e zgjedhësit në favor të tij.
“Vidhni vota, hajdutë! Vjedh vota ti dhe më bën mua presion me policinë. Nuk është hera e parë, të gjithë ato vota më keni vjedhur deri tani në të gjitha kutitë, nga 4 nga 2 nga 5. Hajdeni dhe shihni se si e kanë shprehur vullnetin qytetarët. Me të padrejtë më heq votat. Ju më keni hequr vota nga 4-5 çdo sekondë. Turp të keni, do të marr videot një për një dhe do t’i çoj në SPAK dhe do gjej çdo votë që më keni marrë ju. Turp të keni. Duhet të jesh i drejtë me çdo njeri. Media ja ta shoh votën, se i ka dal pak nga vija por qytetari e ka shprehur pëlqimin e tij. Kushedi sa vota më janë hequr kështu. Këto kanë marrë orientim që ta bëjmë sikur ka qenë njolloj se u kemi prishur terezinë këtyre se donin të iknin me pushime”, u shpreh Dogjani.
Për shkak të këtyre përplasjeve, KAS ka marrë vendimin që ta përjashtojë Asllan Dogjanin përfundimisht nga ambientet ku po zhvillohet rinumërimi.
Sipas KAS, ky vendim vjen si shkak i shkeljeve të përsëritura të Asllan Dogjanit ndaj rregullave të vëzhgimit, intimidimit ndaj numëruesve dhe sjelljes së papërshtatshme ndaj anëtarëve të komisionit.
“KAS vendosi të kërkojë ndihmën e policisë në mjediset e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” për të larguar nga mjediset ku po zhvillohet numërimi shtetasin Asllan Dogjani, i cili në mënyrë të përsëritur ka shkelur rregullat e vëzhgimit të procesit, duke intimiduar numëruesit dhe duke kërcënuar dhe ofenduar anëtarët e KAS-it. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të ruajtur qetësinë dhe për të respektuar rregullat e z.Dogjani ka vazhduar me sjelljen e papranueshme, për këtë arsye KAS vendosi t’i ndalojë Asllan Dogjanit qëndrimin e tij në ambientet e pallatit të sportit dhe t’i kërkojë policisë që të marrë masa për largimin e tij, gjerësisht të mos lejojë futjen e tij në mjediset ku po zhvillohet numërimi”, thuhet në vendim e KAS.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



