Incident në aksin Lezhë–Milot, policia qëllon ndaj makinës që nuk iu bind urdhrit për ndalim

Aktualitet | 1 vit më parë

Një incident është regjistruar këtë të premte në aksin rrugor Lezhë–Milot, në vendin e quajtur “Gajush”, ku një drejtues mjeti nuk iu bind urdhrit të ndalimit dhe detyroi patrullën e policisë të qëllojë drejt tij, pa rrezikuar jetën e personave aty pranë.

Policia njoftoi se 26-vjeçari po kryente manovra të rrezikshme në rrugë dhe i ishte kërkuar të ndalonte për të parandaluar pasoja më të rënda. Duke hasur rezistencë ndaj një kërkese të tillë, një nga efektivët përdori armën e shërbimit dhe qëlloi gomat e automjetit që po drejtohej nga i riu.

“Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., 26 vjeç, banues në Lezhë, pas verifikimeve, rezultoi se drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr për një shkelje të mëparshme. Në momentin e verifikimit të shkeljes dhe komunikimit të punonjësit të policisë për ta shoqëruar këtë të fundit për veprime të tjera në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, drejtuesi i mjetit ka refuzuar t’i bindet urdhrave të ligjshëm të punonjësit të policisë dhe me veprimet e tij për t’u larguar, ka paraqitur rrezik qartësisht të dukshëm për jetën e punonjësit të policisë, i cili, në kushtet e rrezikut të drejtpërdrejtë, real dhe të çastit dhe me qëllim parandalimin e një pasojë më të rëndë, përdori armën e shërbimit duke qëlluar në gomën e automjetit që drejtohej nga shtetasi J. D., duke bërë të mundur ndalimin e tij,” njoftoi Policia.

Gjatë kontrollit në automjet, drejtuesit të mjetit iu gjet një armë e ftohtë pa leje nga organet kompetente. Ai u shoqërua në Komisariatin e Policisë Lezhë së bashku me pasagjerin e tij, po ashtu banues i qytetit verior. Ndaj drejtuesit të mjetit po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 291, 236 dhe 279 të Kodit Penal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme