Incident në Portin e Shëngjinit, shuhet zjarri në anijen që po ngarkohej me skrap

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një anije që po ngarkohej me skrap është përfshirë nga flakët pasditen e sotme në Portin e Shëngjinit, duke aktivizuar menjëherë të gjitha strukturat e emergjencës dhe sigurisë në zonë.

Sipas verifikimeve të para në terren, dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e një incidenti gjatë procesit të ngarkimit të mbetjeve metalike.

“Dyshohet se flakët nisën nga një bombul e vogël gazi, që mund të ketë pasur sasi të vogël gazi dhe si pasojë e shkëndijave të metaleve mori flakë,” raportoi gazetari i RTSH-24, duke cituar burimet nga vendngjarja.

Situata është vënë nën kontroll brenda një kohe shumë të shkurtër falë koordinimit të menjëhershëm të forcave zjarrfikëse të portit, shërbimeve të dispeçerit dhe punonjësve të sigurisë portuale, duke parandaluar përhapjen e flakëve në ngarkesa të tjera apo anije të ankoruara pranë.

“Menjëherë kanë ndërhyrë zjarrfikësit e portit që kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve,” bëhet me dije nga vendngjarja, ndërkohë që grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të rënies së zjarrit.

Lidhur me incidentin dhe ecurinë e punës në terminal, Drejtori i Portit të Shëngjinit, Andi Marku, ka konfirmuar se nuk ka asnjë problem dhe se aktivitetet tregtare e operacionale në port vijojnë normalisht.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme