Indrit Çullhaj, ftesë për “Tokio 2020”

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Indrid Çullhaj është sportisti i nëntë i Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Tanimë, edhe për shkak të pikëve të grumbulluara në aktivitetet ndërkombëtare, Çullhaj ka përfituar ftesën nga Federata Botërore e Xhudos dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. E si i tillë i bashkohet skuadrës olimpike shqiptar, që në përbërje ka Luiza Gegën, Briken Caljen, Erkand Qerimajn, Izmir Smajlajn, Matvei Petrovin, Manuela Delilajn, Nikol Merizajn dhe Kledi Kadiun.

Çullhaj është përfaqësues i klubit Tirana, ndërsa është katërmbëdhjetë herë Kampion i Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por në muzeun e tij të trofeve ka dhe titullin Kampion Ballkanik plot dy herë, ndërsa të fundit e pat marrë në 31 mars 2019 në Tiranë. I vetmi sportist shqiptar që në Lojërat Olimpike Europiane në Minsk ishte me normë kualifikimi, sikurse ka qenë pjesëmarrës i rregullt në Kampionatet Europiane dhe Botërore.

Për rrjedhojë pjesëmarrja e gjërë në aktivitetet ndërkombëtare i jep dhe ftesën për në Lojërat Olimpike, ndërsa shënon herën e parë të tij në këtë lëvizje të olimpizmit botëror. Për xhudon shqiptare, Çullhaj është sportisti i tretë që merr pjesë në Lojërat Olimpike. Më parë ka konkurruar Edmond Topalli në “Pekin 2008” dhe më pas Majlinda Kelmendi në “Londër 2012”. RTSH Sport, ashtu sikurse është duke bërë me të gjithë sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike në Tokio, do të jetë në një seancë stërvitore të Çullhajt për të marrë impresionet e tij të para pas ardhjes së ftesës nga ndërkombëtarët.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme