Infantino: Katar 2022 do të jetë Botërori më i mirë

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, u përpoq të hënën të largonte çfarëdolloj dyshimi për të drejtat e njeriut në Katar, në prag të nisjes së Botërorit të muajit të ardhshëm, teksa organizmi që qeveris futbollin në planet konfirmoi se po negocion për miratimin e një fondi për emigrantët që janë plagosur, gjymtuar apo kanë humbur jetën gjatë punës për infrastrukturën e stadiumeve. “FIFA mbetet pozitive në dialogun që po vazhdon me Organizatën Botërore të Punës dhe Konfederatën Ndërkombëtare të Sindikatave të Punonjësve dhe të gjitha autoriteteve përkatëse në Katar mbi nismat nga të cilat do të përfitojnë të gjithë punëtorët emigrantë në Katar edhe shumë kohë pas ndeshjes finale të Botërorit”, – deklaroi Drejtori i Marrëdhënieve me Shtypin në FIFA, Brajën Suonson.
Teksa ka mbetur edhe diçka më pak se 5 javë deri në nisje të Botërorit, Infantino theksoi se Katari është gati dhe i hapur për të gjithë: “Po e përsëris edhe një herë dhe qartësisht, se të gjithë do të jenë të mirëpritur në këtë Botëror, pavarsisht origjinës, prejardhjes, fesë, gjinisë, orientimit gjinor apo kombësisë së tyre, – tha presidenti i FIFA-s, duke vijuar: “Bota mezi po e pret dhe Katari është gati, skena e madhe është gati. Dhe së bashku ne do të organizojmë Botërorin më të mirë ndonjëherë, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së blertë. Shijoni spektaklin, shijoni futbollin dhe mezi pres t’ju shoh të gjithëve në Katar pas një muaji.”
Ndërkaq, edhe Kreu Ekzekutiv i Operacioneve të FIFA-s, Kolin Smith, u ka bërë jehonë fjalëve të Infantinosm duke zbuluar fillimisht se, sa u përket biletave “janë shitur thuajse 3 milionë, apo, që të jemi më të saktë, deri më sot, janë shitur 2 milionë e 890,000 bileta”. “Në Katar ne kemi punuar krah për krah me autoritetet përgjatë viteve të fundit dhe kemi punuar edhe me organizata të ndryshme që kanë pohuar progresin që është bërë këtu në Katar. Kështu, për ta përsëritur atë që tha presidenti, ky është një Botëror për të gjithë dhe ne jemi thellësisht të ngazëllyer të presim këtu këdo nga të gjitha kombësitë”, – përfundoi ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



