Inflacioni në Shqipëri, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit arrin në 3,4% për muajin korrik 2026

Ecuria e çmimeve të konsumit në Shqipëri ka shënuar një rritje vjetore prej 3,4% gjatë muajit Korrik 2026, siç matet përmes Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK). Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ky tregues mbetet mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila për të njëjtën periudhë u pozicionua në nivelin 3,0%.
Peshën kryesore në shtrenjtimin e jetesës në krahasim me vitin e kaluar vijon ta mbajë shporta ushqimore. Në njoftimin e INSTAT-it bëhet e ditur se “kontributin kryesor në rritjen vjetore të çmimeve në muajin Korrik e dha grupi ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ me +1,09 pikë përqindje, me një rritje vjetore me 3,2%”.
Pas tij, ndikimin më të lartë në rritje e dhanë shpenzimet për të lirën dhe turizmin; grupi “‘Argëtim, sport dhe kulturë’, me një kontribut prej +0,55 pikë përqindje dhe rritje vjetore prej 8,5%”, si dhe “‘Restorante dhe shërbime akomodimi’ me një kontribut prej +0,53 pikë përqindje dhe një rritje vjetore 3,6%”. Rritje vjetore të ndjeshme pësuan edhe sektori i transportit (4,6%) si dhe pijet alkoolike e duhani (4,5%).
Rënia e lehtë mujore dhe risitë metodologjike
Pavarësisht ecurisë vjetore në rritje, në krahasim të drejtpërdrejtë me muajin Qershor 2026, niveli i përgjithshëm i çmimeve shënoi një zbritje të lehtë prej 0,1%. Kjo ulje e përkohshme u ndikua kryesisht nga ulja e çmimeve në grupin “‘Informacioni dhe komunikimi’ me 1,3 %, pasuar nga grupet ‘Veshje dhe këpucë’ me 1,2 %, ‘Sigurime dhe shërbime financiare’ me 1,0 %, ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ me 0,9 %”. Ndërkohë, ky trend rënës u frenua nga sektori i transportit, i cili u rrit me 2,5% brenda muajit, si dhe shpenzimet për shtëpinë me 1,0%.
INSTAT sqaron se “duke filluar me publikimin e të dhënave për muajin Korrik 2026, vihet në dispozicion seria e plotë kohore e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (HICP) për periudhën 2016–2025, sipas ECOICOP 2018”. Ristrukturimi metodologjik reflekton zbatimin e Rregullores së Komisionit Evropian (BE) 2024/3159 për harmonizimin e plotë me standardet e Eurostat-it, duke e zhvendosur periudhën e referencës nga Dhjetori 2020 në mesataren e vitit 2025 (2025=100) dhe duke e përditësuar shportën e mallrave në 410 produkte e shërbime.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




