Inspektorët me kamera inteligjente, Sula: Kontrollet do të përcaktohen nga sistemi i ri, qytetarët të denoncojnë
Reforma e sistemit të inspektimeve synon të ndryshojë mënyrën se si kryhen kontrollet ndaj bizneseve. Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, gjatë takimit me përfaqësues të shoqatave të biznesit, bëri thirrje që qytetarët të denoncojnë problematikat dhe rastet e abuzimit.
Një nga risitë e sistemit do të jetë pajisja e inspektorëve me kamera inteligjente, për të garantuar dokumentimin dhe transparencën gjatë procesit të kontrollit.
“Marrëdhënia inspektorat-biznes duhet të jetë një marrëdhënie korrekte, një marrëdhënie miqësore dhe jo që të shikohet biznesi si po kuptojmë, themi, armik, ku i jepet mundësi edhe biznesit, ku i jepet mundësi edhe qytetarit që nëpërmjet denoncimeve, të cilat ato adresojnë, që i jepet mundësia që edhe rrugë të konfidencialitetit, pra edhe në mënyrë anonime, edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha Sula.
Ndërkohë, kontrollet nuk do të përcaktohen më në mënyrë subjektive. Ato do të identifikohen dhe orientohen përmes sistemit të ri, i cili synon të bazojë procesin e inspektimit në risk dhe të reduktojë ndërhyrjet njerëzore.
“Kemi bërë të mundur që brenda tre muajve kemi përfunduar të gjithë termat teknikë, me qëllimin e vetëm dixhitalizimin e sistemit të inspektimit dhe të marrë fund njëherë e përgjithmonë që nuk vendos inspektori se ku do të kryhet inspektimi”, tha ai.
Reforma synon një marrëdhënie më transparente mes inspektorëve dhe biznesit, ndërsa denoncimet e qytetarëve do të shërbejnë si një tjetër burim informacioni për identifikimin e problematikave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




