“Institucionet, detyrim të informojnë.” Komisioneri Dervishi: Çdo vit, afro 1 mijë ankesa për mungesë të dhënash
Çdo vit pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbërrijnë afro 1.000 ankesa të ndryshme lidhur me moskthimin e përgjigjeve nga ana e institucioneve publike.
Komisioneri Besnik Dervishi flet mbi të dhënat e gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
“Edhe këtë vit kemi bërë një bilanc të gjashtëmujorit të parë. Ka një rënie të lehtë të ankesave. Kjo mund të konsiderohet pozitive, në një sens, sepse ndoshta tregon një rritje të performancës së autoriteteve publike në kthim-përgjigjeve ndaj kërkesave për informacion. Mund të ketë ndikuar edhe një element tjetër, që ligji e konsideron transparencën proaktive, që është informacioni i ofruar nga autoritetet publike nëpërmjet programit të transparencës,” tregon z. Dervishi.
Dervishi thekson edhe llojet e tematikave për të cilat individët u drejtohen institucioneve publike për të marrë informacion, nga prokurimet e deri tek informacionet buxhetore.
“Shumica janë qytetarë që i drejtohen zyrës së Komisionerit, shpeshherë edhe për çështje që nuk kanë lidhje me të drejtë e informimit, por me çështjet e tyre personale, të jetës së përditshme. Elementë shumë të rëndësishëm janë shoqëria civile dhe media, kryesisht media investigative,” thotë Komisioneri.
Dervishi thekson se ende ka punë për të bërë, ndërsa këtë vit zyra që ai drejton ka planifikuar të rishikojë programin model të transparencës, mbi të cilin duhet të mbështeten të gjitha autoritetet publike për të ofruar informacion.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




