Integrimi/ Rama thirrje Shkupit: Pranoni propozimin francez! Do kërkojmë ndarjen nëse e refuzoni

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut të pranojë propozimin francez për zhbllokimin e integrimit evropian. Në një intervistë për “Canale 5” në Shkup,  Rama i kërkoi Maqedonisë së Veriut që të mos lejojë që ai të qëndrojë në derën e BE-së edhe për 17 vite të tjera.

“Të them, pranoje se nuk do të ketë propozim tjetër. Është finalja. Nuk është e nevojshme të qëndroni në derën e BE-së edhe për 17 vjet. Dera duhet të jetë e hapur dhe për këtë arsye do të mund të diskutohen të gjitha çështjet përmes dialogut mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Hape këtë derë, hape tani”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, tani është koha për të bërë një zgjedhje dhe se do të jetë gabim i rëndë mospranimi i propozimit, sepse vendi do të braktiset dhe askush nuk do të ketë vullnet për t’u kthyer ndaj tij, prandaj propozimi nuk duhet refuzuar.

“Propozimi i ri është përfundimtar, duhet të kuptoni që është përfundimtar dhe unë besoj fort se është koha e duhur dhe është absolutisht e drejtë të pranohet dhe të hapet kjo derë“, u shpreh Rama.

I pyetur nëse do ta kishte pranuar propozimin francez, po të ishte në vend të autoriteteve maqedonase dhe popullit maqedonas, të cilët ende e mbajnë mend rolin negativ të ushtrisë bullgare në Luftën e Dytë Botërore dhe të gjitha mohimet e identitetit maqedonas, Rama tha se ishte shumë i qartë kundër sjelljes bullgare dhe e konsideronte të turpshme.

“Por në të njëjtën kohë, është fakt që Bullgaria është anëtare e BE-së dhe Bashkimi ka një mënyrë për t’u marrë me gjërat që janë shndërruar në shtete rrëmbyese në interes të njërit apo tjetrit shteti dhe në një farë kuptimi është vënë në dyshim edhe fryma e zgjerimit. Por ky është realiteti”, tha kryeministri.

Rama theksoi se Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së nëse Shkupi refuzon propozimin francez.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme