Irani dhe SHBA shënojnë përparim në bisedimet për programin bërthamor

Irani ka deklaruar se ka arritur një mirëkuptim me Shtetet e Bashkuara mbi “parimet kryesore udhëzuese” për zgjidhjen e mosmarrëveshjes lidhur me programin e tij bërthamor, pas bisedimeve indirekte të zhvilluara në Gjenevë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se është shënuar përparim, por theksoi se ende ka çështje që kërkojnë negocim të mëtejshëm. Nga ana tjetër, një zyrtar amerikan konfirmoi përparimin, duke shtuar se palët pritet të vazhdojnë diskutimet në javët e ardhshme me propozime më të detajuara.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, deklaroi se takimi përfundoi me “përparim të mirë drejt identifikimit të qëllimeve të përbashkëta dhe çështjeve teknike përkatëse”.
Irani kishte bërë të ditur para takimit se do të përqendrohej në programin bërthamor dhe në heqjen e mundshme të sanksioneve ekonomike të vendosura nga SHBA-të. Uashingtoni, ndërkohë, ka sinjalizuar se dëshiron të përfshijë në diskutime edhe programin raketor iranian dhe çështje të tjera të sigurisë rajonale.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cilësoi bisedimet si “shumë të rëndësishme” dhe paralajmëroi për pasoja në rast se nuk arrihet një marrëveshje. Ai përmendi edhe veprimet e mëparshme ushtarake amerikane kundër objekteve bërthamore iraniane, duke theksuar se preferon një zgjidhje diplomatike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




