Ish-gjyqtari Ervin Metalla fiton në Strasburg, vendimi i organeve të Vetingut u konsiderua joproporcional
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka dhënë të drejtë ish-gjyqtarit Ervin Metalla, duke konstatuar shkelje të Neni 8 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut pas shkarkimit të tij nga procesi i Vetingut në Shqipëri.
Vendimi lidhet me largimin e Metallës në vitin 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për shkak të problemeve të konstatuara në kriterin e pasurisë. Ky vendim u la më pas në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Autoritetet e Vetingut argumentuan se Metalla kishte përfituar në mënyrë të parregullt një kredi të butë dhe kishte kryer veprime që u konsideruan jo etike për një gjyqtar.
Megjithatë, Gjykata në Strasburg arriti në përfundimin se, edhe pse këto veprime mund të ngrinin dyshime mbi sjelljen e tij, ato nuk justifikonin masën më të rëndë disiplinore, siç është shkarkimi dhe përjashtimi përfundimtar nga sistemi i drejtësisë. Sipas saj, autoritetet shqiptare nuk arritën të provojnë se vazhdimi i detyrës së tij ishte i papranueshëm.
Si rrjedhojë, Gjykata vendosi që shteti shqiptar t’i paguajë Metallës rreth 32 mijë euro dëmshpërblim, që përfshin dëmin pasuror, moral dhe shpenzimet ligjore. Ky vendim vë në dukje rëndësinë e respektimit të standardeve të proporcionalitetit dhe të drejtave themelore gjatë procesit të Vetingut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




