Iu gjetën arsenal armësh dhe municione luftarake me silenciatorë, dërgohet për gjykim një person

Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim shtetasin me inicialet M.R., i akuzuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
M.R. është ndaluar teksa drejtonte automjetin, ku iu gjet një armë zjarri tip pistoletë dhe 50 fishekë. Kontrollet e mëtejshme në ambiente të përdorura prej tij zbuluan një arsenal armësh. Gjatë operacionit u sekuestruan 12 armë të tjera zjarri, mes të cilave 10 automatikë model 56, një armë automatike tip “Skorpion” dhe një pistoletë.
Ekspertiza tekniko-balistike ka konfirmuar se armët ishin në gjendje funksionale dhe të afta për qitje. Gjithashtu, u sekuestruan 465 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 14 krehra për armë automatike, pushkë dhe pistoleta, si dhe dy pajisje për zbutjen e zhurmës së armëve, të njohura si silenciatorë.
Nga hetimet janë evidentuar edhe të dhëna që ngrenë dyshime se një pjesë e armëve mund të mbahej me qëllim shitjen e paligjshme. Për këtë pjesë të dyshimeve, hetimet vijojnë në një procedim penal të ndarë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




