Izraeli konfirmon marrëveshjen për armëpushim me Iranin

Lindja e Mesme | 1 vit më parë

Qeveria izraelite ka konfirmuar se ka pranuar marrëveshjen për armëpushim me Iranin, të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, duke deklaruar se ka arritur “të gjitha objektivat ushtarake” pas një vale sulmesh intensive në territorin iranian.

Në një deklaratë zyrtare të qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu thuhet se “Izraeli ka eliminuar një kërcënim të dyfishtë ekzistencial, si nga programi bërthamor iranian ashtu edhe nga raketat balistike”.

Sipas deklaratës, ushtria izraelite ka kryer sulme të rënda ndaj udhëheqjes ushtarake iraniane dhe ka shkatërruar “dhjetëra objektiva kyçe të regjimit në zemër të Teheranit”.

“Izraeli ka eliminuar një kërcënim të menjëhershëm dhe të dyfishtë ekzistencial – si në fushën bërthamore ashtu edhe në fushën e raketave balistike. Përveç kësaj, IDF ka arritur kontroll të plotë ajror mbi qiellin e Teheranit, i ka dhënë një goditje të rëndë udhëheqjes ushtarake iraniane dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva kyçe të regjimit në Iran. Izraeli do t’i përgjigjet me forcë çdo shkeljeje të armëpushimit”, thuhet në deklaratë.

Përmes kësaj deklarate, Izraeli falënderoi Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për “mbështetjen e tyre të pakushtëzuar në mbrojtje” dhe për pjesëmarrjen e tyre në “eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian”.

Deklarata paralajmëron se çdo shkelje e armëpushimit nga ana e Iranit do të marrë “një përgjigje të ashpër” nga ana e Izraelit, duke lënë të hapur mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake në rast tensioni të ri.

Edhe presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se armëpushimi ka hyrë në fuqi dhe u bëri thirrje të dyja palëve që ta respektojnë e të mos e shkelin marrëveshjen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme