Izraeli paralajmëron evakuim urgjent në jug të Libanit pas shkeljes së armëpushimit

Ushtria izraelite lëshoi një paralajmërim urgjent sot (e martë) për banorët e më shumë se një duzine fshatrash dhe qytetesh në Libanin jugor, duke i nxitur ata të evakuohen menjëherë drejt veriut.
Paralajmërimi, i shpërndarë nga zëdhënësi i ushtrisë në gjuhën arabe Avichay Adraee, theksonte se veprimi ishte i domosdoshëm për shkak të shkeljes së marrëveshjes së armëpushimit nga milicia e Hezbollahut.
“IDF nuk ka ndërmend t’ju dëmtojë dhe, për shkak të shqetësimit për sigurinë tuaj, ju kërkohet të evakuoni menjëherë shtëpitë tuaja dhe të largoheni drejt Distriktit të Sidonit”, shkroi Adraee, duke paralajmëruar se kushdo që gjendet pranë elementëve të Hezbollahut apo mjeteve të tyre luftarake rrezikon jetën.
Paralajmërimi erdhi pasi ushtria izraelite zgjeroi sulmet ndaj Libanit të hënën, ku autoritetet raportuan katër të vdekur pavarësisht armëpushimit. Izraeli goditi mbi 20 “vendndodhje infrastrukturore” të Hezbollahut në Luginën Bekaa dhe në jug të vendit, duke përfshirë objekte magazinimi armësh dhe vendlëshime raketash.
Në këtë klimë tensioni, presidenti libanez Joseph Aoun deklaroi se bisedimet e drejtpërdrejta me Izraelin synojnë t’i japin fund konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Ai akuzoi grupin e mbështetur nga Irani për “tradhti”, duke theksuar se ata që e futën Libanin në luftë janë përgjegjës për pasojat. Hezbollah ndërkohë mori përsipër disa sulme ndaj objektivave izraelite në jug të Libanit të hënën, duke e përshkallëzuar më tej situatën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




