Izraeli sulmon shkollën strehimore në Gaza, 54 të vdekur, mes të cilëve edhe fëmijë

Botë | 1 vit më parë

Të paktën 54 palestinezë janë vrarë në dy sulme të ndara ajrore izraelite gjatë natës, përfshirë një sulm ndaj një shkolle që strehonte familje të zhvendosura në Gazën qendrore.

Një zëdhënës i Mbrojtjes Civile të Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se u gjetën 20 trupa, përfshirë ato të fëmijëve, pas sulmeve në shkollën që shërbente si strehimore.

Lidhur me sulmin në shkollë, ushtria izraelite (IDF) tha se kishte shënjestruar “një qendër komande dhe kontrolli të Hamasit dhe Xhihadit Islamik”.

IDF tha se zona po përdorej “nga terroristët për të planifikuar sulme kundër civilëve izraelitë dhe trupave të IDF” dhe akuzoi Hamasin për përdorimin e “popullsisë së Gazës si mburoja njerëzore”.

Raportet lokale thanë se mes viktimave ishte edhe kreu i hetimeve për policinë e Hamasit në Gazën veriore, së bashku me gruan dhe fëmijët e tij.

Sulmet e dyfishta janë pjesë e një ofensive më të gjerë izraelite që është përshkallëzuar në pjesën veriore të Gazës gjatë javës së kaluar. IDF tha se goditi 200 objektiva në të gjithë Gazën brenda 48 orëve, ndërsa vazhdoi operacionet e saj kundër asaj që e quajti “organizata terroriste”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme