“Jam Mysliman”, libri i shkrimtarit Ben Blushi ngjall interes në Panairin e Librit

Kulturë | 12 muaj më parë

Libri më i ri i shkrimtarit Ben Blushi “Jam Mysliman” ka ngjallur interes të gjerë në edicionin e 28 të Panairit të Librit. Romani “Jam Mysliman”, është një rrëfim ironik dhe filozofik mbi përplasjen midis fesë dhe shtetit laik në Shqipërinë moderne.

“Jam Mysliman”, libri më i ri i shkrimtarit Ben Blushi  i promovuar vetëm pak ditë më parë ka ngjallur interes të gjerë në edicionin e 28 të Panairit të Librit . Romani “Jam mysliman”, është një rrëfim ironik dhe filozofik mbi përplasjen midis fesë dhe shtetit laik në Shqipërinë moderne.

Ngjarjet zhvillohen në Rrugën e Kavajës, ku një shkrimtar përballet me islamizimin e ngadaltë të shoqërisë dhe të jetës së tij private, përfshirë edhe gruan e tij të dytë, e cila shndërrohet në besimtare.

Pas një udhëtimi në Mekë, i vetmuar dhe i kërcënuar nga islamikët, ai bëhet mysliman, duke e kthyer romanin në një metaforë për njeriun që kërkon shpëtim në fe pasi ka humbur besimin te shoqëria. Shkrimtari Ben Blushi ndan disa sekrete për lexuesit. 

“Ky libër është shkruar shpejt rreth 2 muaj e gjysmë, varianti final është 221 faqe. Ka qenë 20% më shumë pra duhet të ishte rreth 300 faqe. Jam kam dedikuar një pjesë të konsiderueshme të fisit tim që janë mysliman”, u shpreh Blushi.

Shkrimtari shprehet se libri “Jam mysliman” duhet të lexohet thjesht si letërsi pa ngarkesë emocionale.

“Unë i bëj thirrje të gjithëve që librin ta marrin si libër artistik, është një produkt i imagjinatës, nuk është një trakt, nuk është një peticion politik, nuk është një doktrinë është thjeshtë një roman”, tha ai.

 “Jam mysliman” është botimi i dymbëdhjetë i Ben Blushit, pas sukseseve me bestseller-at “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Kandidati” dhe “Komploti”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme