“Jo në emrin tim”, Kosova në protestë kundër Speciales, Gucati kërkon largimin e Donika Gërvallës

Kosovë | 36 minuta më parë

Kosova është ngritur më këmbë kundër vendimit të Gjykatës Speciale që dënoi me 81 vite burg në total ish-krerët e UÇK-së. Në tubimin e mbajtur sot në Prishtinë, mijëra qytetarë kanë brohoritur “jo në emrin tim”, duke iu referuar frazës së gjykatësit në vendimin final “në emër të popullit të Kosovës”.

Në protestën e organizuar nga veteranët, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, kërkoi nga kryeministri Albin Kurti largimin e Donika Gërvallës nga qeveria dhe institucionet e Kosovës. Gucati pretendoi se Gërvalla ka dorëzuar dokumentacion në Hagë, ndërsa kërkoi që ajo dhe Liburn Aliu të japin sqarime për informacionet që, sipas tij, kanë përfunduar në proceset gjyqësore.

“Sot të gjithë jemi UÇK! Jo në emrin tim! Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të nderuar vëllezër shqiptarë! Të nderuar familja Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, Pjetër Shalës, Sali Mustafës. Sot ne jemi tubuar këtu për ta ngritur zërin kundër një padrejtësie të madhe e cila ndodhi në shekullin XXI. Në vendin ku ndahet drejtësia, në vendin ku është demokracia, në vendin ku është civilizimi, në Holandë. Ne e dimë që qytetarët holandezë nuk kanë asgjë të bëjnë me këtë, po kanë njerëzit të cilët punojnë, veprojnë në Holandë. Prokurorë të cilët ranë ndikim të Serbisë dhe të Rusisë. Gjyqtarë të cilët morën mendime nga Trendafilova, e cila vjen nga një shtet pseudokomunist, nga Bullgaria. Sot ne i themi, ‘jo në emrin tim’. Nuk ka bir nëne që del dhe të thotë që duhet t’i dënojmë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata ishin njerëzit më të mirë të kombit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sot ne frymojmë lirë në sajë të dëshmorëve, në sajë të luftës së Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Luan Haradinaj dhe shumë dëshmorëve të tjerë që mos t’iu mbes borxh. Ne sot kërkojmë që këtë vendim gjykata speciale ta shfuqizojë dhe ta marrë parasysh gjithë këtë popull, mbi 2 milion shqiptarë që janë ngritur në këmbë për t’i mbrojtur djemtë e vet”, tha kreu i OVL të UÇK.

Ai kritikoi gjithashtu institucionet e Kosovës për reagimin ndaj vendimit, duke veçuar ministren Donika Gërvalla.
Ne sot çka na befason? Çka jemi të befasuar ku ende nga institucionet e vendit tonë nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë. Në vend që Donika Gërvalla të dalë dhe të japë një deklaratë, një padrejtësi që është bërë ndaj çlirimtarëve tonë, ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Calit, Pjetrit, ajo sot hesht. Ne e dimë që Donika Gërvalla ka dorëzuar dokumentacion në Hagë. Ne e dimë që Liburn Aliu ka folur në parlamentin e Kosovës. Ne i themi Albin Kurtit që nga sot t’i përjashtojë këta njerëz nga qeveria. Mos i lë në qeveri”, deklaroi Gucati.

Gucati vijoi duke akuzuar Gërvallën dhe Aliun për bashkëpunim me institucionet që ai i konsideron përgjegjëse për proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkoi largimin e tyre nga institucionet.

Njerëz të cilët bashkëpunojnë me armikun janë armiqtë e vendit tim, janë armiqtë e kombit tim dhe ne nuk i duam në mesin tonë. Ne çlirimtarët e vendit nuk jemi kundër asnjë qeverie. Jemi kundër atyre njerëzve që heshtin. Jemi kundër atyre njerëzve që gëzohen për dënimin e tyre. Mua sot më befason Albin Kurti qysh e mban në zyrat e veta një njeri që ende asnjë fjalë s’ foli për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një njeri si Donika Gërvalla, që ende s’ka dalë të kërkojë falje para qytetarëve të Kosovës, para shqiptarëve të vendit, para dëshmorëve të kërkoj falje, se ne dimë të falim, ne kemi falur në ditë më të vështira”, u shpreh ai.

Gucati kërkoi gjithashtu që Gërvalla dhe Aliu të japin shpjegime publike lidhur me informacionet që, sipas tij, janë përdorur në proceset në Hagë.

“Ne kërkojmë sqarim nga Donika Gërvalla, Liburn Aliu të dalin dhe të deklarojmë ku i bënë ato informata, kush janë ata që i kanë vrarë këta njerëz. Të ndahet shapi prej sheqerit njëherë e përgjithmonë, jo të drejtohet gishti nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në emrin tim dhe në emër të tre shoqatave të dala nga lufta nga dhe në emër të të gjitha shoqatave shqiptare kërkojmë dhe njëherë, nuk kemi nevojë t’i bëjmë ultimatum Albin Kurtit për ta hequr Donika Gërvallën nga institucionet e vendit. Një njeri që shpif, një njeri që çon dokumente false në gjykatën speciale neve nuk na duhet ta udhëheqë vendin, as shtetin tonë. As nuk na duhet të jetë ministër i drejtësisë kur e dimë që e ka bërë kështu, por kërkojmë dorëheqjen e saj sa më shpejt sepse populli një ditë e revolta qytetare mund të ngrihet dhe të jetë e padëshirueshme ndaj tyre. Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi të gjithëve veteranëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës! Gjithmonë keni qenë jeni dhe do të jemi bashkë gjithmonë”, tha Gucati.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme