Jorida Tabaku për RTSH: Standardet e cenuara të zgjedhjeve penalizojnë integrimin
E sapokthyer nga Strasburgu, në intervistën dhënë për RTSH-në, Jorida Tabaku tha se në Komisionin e Stabilizim-Asociimit gjeti jehonë shqetësimi i përfaqësuesve të opozitës për standardet e munguara të zgjedhjeve të 11 Majit.
“11 Maji, në fakt, për të gjithë ne që kemi jetuar edhe si të zgjedhur, edhe në kurriz… është një nga zgjedhjet me standardet më të shkelura. Vetë raporti i OSBE-ODHIR nuk i certifikon si të lira dhe të ndershme. Qartësisht influencat kriminale në këto zgjedhje kanë qenë prezentë. Asnjë nga ne nuk është ndjerë mirë kur edhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian, që vëzhgoi zgjedhjet këtu, përmendi influencat kriminale, të cilat orientuan votën në mazhorancë, në kandidatë të veçantë, duke u referuar rastit të Elbasanit”, u shpreh znj. Tabaku.
Drejtuesja demokrate e Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane tha se mungesa e standardeve të zgjedhjeve dëmton procesin integrues së vendit. Sipas Tabakut, zgjedhjet e lira janë kusht për anëtarësim.
“Sigurisht që e penalizojnë, sepse janë pjesë e Grupkapitullit të Parë. Ju besoj se e dëgjuat qëndrimin e Komisionit, që zgjedhjet janë një nga elementet që po vëzhgohen, po mbahen në monitorim”, tha znj. Tabaku.
Deputetja demokrate nuk e fsheh skepticizimin për ftesën publike të shumicës drejtuar opozitës për bashkëpunim për një Kod të ri Zgjedhor.
“Këto ftesat e mazhorancës sa për të larë gojën, në këto 12 vite ne i kemi kaluar shumë herë… dhe çështja e këtyre zgjedhjeve nuk lidhet vetëm me një reformë, sepse shumë ligje ne i kemi ndryshuar. Sigurisht që opozita do të përdorë çdo mënyrë për të mbrojtur zgjedhjet, qoftë edhe ndryshimet ligjore, por në fund të ditës, shumë prej çështjeve ishin dhe çështje të vullnetit politik“, tha ajo.
Mungesa e vullnetit për zbatimin e ligjeve, me pasojë cenimin e zgjedhjeve, është tashmë pjesë e raportit paraprak të OSBE/ODHIR-it, që me shumë gjasë, thotë deputetja demokrate, do të jenë edhe në raportin përfundimtar.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



