Kajro: Sulmi i Gazës “provë e qartë” se Izraeli nuk është i gatshëm t’i japë fund luftës

Botë | 2 vite më parë

Egjipti ka dënuar të shtunën ashpër sulmin izraelit ndaj një strehe brenda një shkolle në qytetin e Gazës, i cili vrau të paktën 100 njerëz.

Ministria e Jashtme në Kajro tha se sulmi tregon një mospërfillje të paprecedentë të ligjit ndërkombëtar.

Sipas ministrisë, sulmi ishte një vazhdim i krimeve në shkallë të gjerë, në të cilat u vranë një numër i madh civilësh të paarmatosur.

Ministria theksoi se sulmi erdhi në një kohë kur ndërmjetësit po përpiqeshin të arrinin një armëpushim në Gazë, duke shtuar se kjo ishte “provë e qartë” se nuk ka vullnet nga pala izraelite për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Egjipti ka qenë i përfshirë në përpjekjet mujore së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Katarin, për të arritur një armëpushim midis Izraelit dhe grupit ekstremist palestinez Hamas për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

“Të paktën 100 persona u vranë në sulmin ajror gjatë natës të kryer nga forcat izraelite në një shkollë në qytetin e Gazës”, sipas burimeve mjekësore dhe të sigurisë. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme