Kallas: Sulmet e grupeve që mbështeten nga Irani dëmtojnë ekonominë globale

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se sulmet e grupit të mbështetur nga Irani, Houthi, ndaj Arabisë Saudite janë të papranueshme dhe dëmtojnë ekonominë globale.
Sipas saj, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, Operacioni i BE-së ASPIDES ka rritur nivelin e alarmit të anijeve të veta, ndërsa vazhdon detyrat e shoqërimit të anijeve tregtare.
“Duke pasur parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë, Operacioni i BE-së ASPIDES ka rritur nivelin e alarmit të anijeve të tij ndërsa vazhdon detyrat e shoqërimit”, tha Kallas.
Operacioni ASPIDES është një mision mbrojtës i sigurisë detare i Bashkimit Evropian, i nisur në shkurt 2024, me qëllim mbrojtjen e anijeve tregtare nga sulmet e Houthi-ve.
Kallas tha se ka biseduar me ministrin e jashtëm të Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Farhan Al Saud, “rreth përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Jemen dhe për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”.
“Kalimi detar duhet të jetë i papenguar dhe pa tarifa. Evropa po ndihmon në mbrojtjen e anijeve në Detin e Kuq nga sulmet e Houthi-ve”, shkroi ajo në një postim në X
Deklarata e Kallas vjen në një kohë kur situata e sigurisë në rajon mbetet e tensionuar, me ndikim të drejtpërdrejtë në rrugët kryesore detare ndërkombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




