Kamala Harris: E hapur për të emëruar një republikan në kabinetin tim

Botë | 2 vite më parë

Në intervistën e saj të parë për rrjet prestigjioz televiziv CNN, që kur demokratët e emëruan si kandidate për presidente, Kamala Harris u pyet pse pozicionet e saj  politike kishin pësuar ndryshime gjatë kohës së saj si zëvendëspresidente dhe si kandidate presidenciale.

“Mendoj se aspekti më i rëndësishëm dhe më domethënës i perspektivës dhe vendimeve të politikës sime është se parimet e mia nuk kanë ndryshuar”, u shpreh Harris.

Ajo ka ashpërsuar qëndrimin e saj mbi emigracionin përgjatë kufirit jugor të SHBA-së me Meksikë, ndërsa tha se do të shtojë përpjekjet për një legjislacion gjithëpërfshirës kufitar.

“Ne kemi ligje që duhen ndjekur dhe zbatuar, që i adresojnë dhe merren me njerëzit që e kalojnë kufirin tonë në mënyrë të paligjshme dhe që duhet të kenë pasoja. Kam shërbyer dy mandate si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë duke ndjekur penalisht organizata kriminale transnacionale, shkelësit e ligjeve amerikane, që kanë kryer trafik të paligjshëm armësh, droge dhe qeniesh njerëzore përtej kufirit tonë dhe parimet e mia nuk kanë ndryshuar”, tha Harris.

Zv.presidentja amerikane vuri në dukje punën e administratës Biden mbi Aktin e Reduktimit të Inflacionit. Ajo tha se është kundër ndalimit të shpimeve për nxjerrjen e naftës në Pensilvani, një nga shtetet që do të jenë vendimtare në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve. Ajo u shpreh e hapur mbi mundësinë e futjes së një republikani në kabinetin e saj nëse do të zgjidhej presidente, duke argumentuar se ajo donte larmi mendimesh.

“Mendoj se është e rëndësishme të kemi në tavolinën kur merren disa nga vendimet më të rëndësishme, njerëz që kanë pikëpamje e përvoja të ndryshme. Dhe mendoj se do të ishte në të mirën e publikut amerikan që të kishte një anëtar në kabinetin tim i cili të ishte një republikane”, theksoi ajo.

Harris u pyet gjithashtu edhe për luftën në Gaza, ku përsëriti qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë se si Izraeli ashtu edhe Hamasi duhet të arrijnë një marrëveshje armëpushimi.

“Kjo luftë duhet të përfundojë dhe ne duhet të arrijmë një marrëveshje për lirimin e pengjeve”

Kandidatja demokrate tha se nuk do të angazhohej për një embargo armësh ndaj Izraelit, siç kanë kërkuar disa anëtarë të partisë së saj. Ndërkohë kandidati republikan Donald Trump e quajti të mërzitshme intervistën e parë të Harris.  “Ajo ishte ulur pas një tavoline dhe nuk më dukej si një lidere”- u shpreh ish-presidenti për rivalen e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme