Kancelari Merz paralajmëron përgjigje ndaj kërcënimeve hibride ruse dhe paralajmëron rrezikun e fitores së AfD-së në Saksoni-Anhalt

Gjermania do të ndërmarrë hapa për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride ruse në ditët në vijim, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Deklarata është bërë nga kancelari gjerman Friedrich Merz gjatë intervistës tradicionale të verës dhënë transmetuesit publik ARD.
Kërcënimet dhe masat e paralajmëruara vijnë pas sulmit të fundit me dron në Aeroportin e Leipzig/Halle më 5 gusht. Edhe pse droni i mbushur me eksploziv nuk arriti të shpërthente, incidenti ka ngritur alarmin në Berlin për cenueshmërinë e infrastrukturës kritike të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. I pyetur nga gazetarët nëse Gjermania është e përgatitur për t’u kundërpërgjigjur në mënyrë të përshtatshme, Merz u mjaftua të thoshte se partnerët ndërkombëtarë nuk do të mbeten të habitur nga hapat që do të ndërmerren.
Sondazhet alarmante në Saksoni-Anhalt, epërsi e fortë për AfD-në
Përveç sfidave të sigurisë kombëtare, fokusi i kancelarit Merz është përqendruar te situata politike e brendshme dhe zgjedhjet e afërta në landin e Saksonisë-Anhalt. Merz ka lëshuar një paralajmërim të fortë se një fitore e mundshme e partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), do t’i shkaktonte dëme të pariparueshme imazhit dhe ekonomisë së këtij shteti lindor.
Sipas sondazheve të fundit në prag të votimit të së dielës së ardhshme, AfD kryeson bindshëm me 40% të votave, duke lënë pas Unionin Kristian Demokrat (CDU) të Merz me 23%, Partinë e Majtë me 13%, Social Demokratët (SPD) me 9% dhe të Gjelbrit me 6%.
“Nuk mund ta imagjinoj që investitorët ndërkombëtarë do të donin të merreshin me ngritjen e fabrikave ose bizneseve të reja në Saksoni-Anhalt përkrah një kryeministri shteti të AfD-së,” u shpreh Merz, duke shtuar se do të angazhohet personalisht në terren gjatë javës për të bindur rreth 20% të votuesve të pavendosur.
Ndërkohë, pavarësisht qëndrimit të prerë të Merz kundër çdo bashkëpunimi si me AfD-në ashtu edhe me Partinë e Majtë, kryeministri aktual i landit nga radhët e CDU-së, Sven Schulze, ka sinjalizuar gatishmërinë për të eksploruar formula koalicioni me SPD-në, të Gjelbrit dhe Partinë e Majtë për të bllokuar ardhjen e ekstremit të djathtë në pushtet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




