Katerina, princesha e Uellsit, njofton se është me kancer

Europë | 3 vite më parë

Princesha Katerina e Uellsit zbuloi të premten se është diagnostikuar me kancer dhe ka nisur fazat e para të të trajtimit.

Njoftimi i princeshës erdhi përmes një videomesazhi, dy muaj pasi ajo ishte larguar nga jeta publike përkohësisht pas lajmit të oborrit mbretëror se ishte operuar në bark për një ndërhyrje pa lidhje me sëmundjen e rëndë.

“Në janar iu nënshtrova një operacioni të madh në Londër dhe në atë kohë u mendua se gjendja ishte jo e rëndë,” tha Katerina, 42 vjeçe, e cila është e martuar me trashëgimtarin e fronit britanik, princin Uilliam.

“Ndërhyrja shkoi me sukses. Sidoqoftë, testet pas operacionit zbuluan praninë e kancerit. Prandaj, ekipi im mjekësor më këshilloi që të nisja një etapë kimioterapie parandaluese dhe tani jam në fazat e hershme të këtij trajtimi.“

Princesha shtoi se, “na është dashur kohë t’i shpjegojmë gjithçka Xhorxhit, Sharlotës dhe Luisit në mënyrën më të përshtatshme për ta dhe t’i sigurojmë ata që do të bëhem mirë. U kam thënë që po bëhem më e fortë çdo ditë duke u përqendruar në gjërat që do të më ndihmojnë të shërohem; në mendjen time, trupin dhe shpirtin.“

“Për të gjithë që përballen me këtë sëmundje, në çfarëdo forme, ju lutemi mos e humbni besimin ose shpresën. Ju nuk jeni vetëm,” përfundoi princesha mesazhin e saj.

Njoftimi vjen në kohën kur edhe mbreti Çarls III aktualisht po i nënshtrohet trajtimit për kancer, i lajmëruar nga pallati mbretëror në fillim të shkurtit.

Fundjavën e kaluar princesha Kejt Midëlton (o. Kate Middleton) u vu re në publik për herë të parë që pas operacionit, pranë një dyqani me burrin e saj, princin Uilliam. /CNN

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme