Këlliçi: CDI miraton deklaratë për Shqipërinë, shqetësim për demokracinë dhe shtetin e së drejtës

Politikë | 4 muaj më parë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se organizata ndërkombëtare e qendrës së djathtë, CDI, ka miratuar një deklaratë për situatën politike në Shqipëri.

Sipas tij, në dokument shprehet shqetësim për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ndërsa i jepet mbështetje opozitës dhe protestuesve.

“CDI shpreh shqetësimin e saj të thellë për përkeqësimin e vazhdueshëm të demokracisë, të shtetit së drejtës dhe të institucioneve demokratike në Shqipëri siç pasqyrohet në raportet dhe vlerësimet e fundit ndërkombëtare. Shpreh solidaritetin e saj me opozitën demokratike dhe me mijëra qytetarë shqiptarë, veçanërisht me të rinjtë e shumtë, të cilët prej më shumë se 45 ditësh protestojnë në mënyrë paqësore në mbrojtje të demokracisë, transparencës, shtetit të së drejtës, mbrojtjes së mjedisit, të drejtës së pronës dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë.

Rikonfirmon se e drejta për protestë paqësore, liria e shprehjes dhe pjesëmarrja politike janë liri themelore demokratike që duhet të mbrohen dhe të respektohen në mënyrë të plotë. I bën thirrje autoriteteve shqiptare të angazhohen në një dialog të mirëfilltë demokratik, të zbatojnë plotësisht rekomandimet ndërkombëtare për reformën zgjedhore dhe forcimin e shtetit të së drejtës, të garantojnë kushte të barabarta për konkurrencën politike e të ndalin çdo formë intimidimi apo presioni ndaj protestuesve paqësorë, gazetarëve dhe shoqërisë civile”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme