Këngët e ahengut shkodran, promovohet botimi i autorit Fahri Djepaxhija me 514 këngë shkodrane

Kulturë | 1 vit më parë

Ahengu shkodran, një nga 7 kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore të vendit tonë, ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm. Një libër që përmbledh 514 këngë të tij duke përfshirë edhe variantet e tyre, është promovuar së fundmi në Bibliotekën “Marin Barleti”.

Puna e gjatë kërkimore e autorit Fahri Djepaxhija prej 40 vitesh është konkretizuar në përmbledhjen “Këngë të ahengut shkodran”. Në këtë rrugëtim, pasionanti shkodran ka pasur bashkëpunimin e ngushtë të nipit të tij, të ndarë nga jeta, Esmerald Djepaxhija, i cili ndihmoi në transkriptimin e këngëve të ahengut.

“Ky libër ka diçka të veçantë se ka historikun”, u shpreh autori i librit, Fahri Djepaxhija.

Libri i promovuar së fundmi përbën një pasuri për fondin e ahengut shkodran, pasi është i vetmi që sjell një numër kaq të lartë të këngëve të shkruara. E veçanta qëndron në faktin se ato janë të shoqëruara me emrat e autorëve të tyre.

”Ky është një botim i teksteve dhe është pasuria më e madhe që është mbledh deri më sot për këngë”, tha muzikanti Bardhyl Hysa.

Biseda e të ftuarve të panelit, në mesin e të cilëve edhe kompozitori Zef Çoba u përqendrua në vlerën dhe rëndësinë që përcjell ky botim në dokumentimin e ahengut. Aktiviteti promovues u shoqërua edhe me interpretimin muzikor të disa prej këngëve më të veçanta të kësaj pasurie shpirtërore.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme