Kërkesat për arsimin profesional, interes i lartë që në dhjetëditëshin e parë të regjistrimeve

Sociale | 4 muaj më parë

Kanë nisur regjistrimet për klasat e dhjeta në Shkollën Profesionale Teknike në Korçë, ku edhe këtë vit vihet re interes i lartë nga të rinjtë për arsimin profesional. Drejtimi më i kërkuar mbetet Teknologjia e Informimit dhe Komunikimit, ndërsa kërkesa është rritur edhe për profilet e tjera, si dhe nga vajzat që zgjedhin të ndjekin këto programe. 

“Shkolla Profesionale Teknike sot ka laboratorë me mjete pune bashkëkohore në të gjitha drejtimet që ofron kjo shkollë. Për fat të mirë, në shkollën profesionale teknike të gjitha drejtimet, duke nisur nga ndërtimi, termohidraulika, elektroteknika, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, punuesi i drurit, mekanika dhe shërbimet e mjeteve të transportit, janë drejtime që lidhen drejtpërdrejt me tregun e punës.” – u shpreh Anxhela Taho, Drejtore e Shkollës Profesionale Teknike Korçë. 

Sipas Tahos, arsimi profesional u krijon nxënësve mundësi për t’u integruar herët në tregun e punës, ku një pjesë e tyre punësohen që gjatë viteve të studimit, ndërsa shumica gjejnë punë edhe pas diplomimit. 

“Nga rezultatet e gjurmimit që ne kemi për vitin shkollor që lamë pas, mbi 70% e nxënësve që kanë përfunduar shkollën profesionale janë të punësuar. Pjesa tjetër, por edhe ata që janë të punësuar, kanë filluar aplikimet për në universitet, sepse përfundimi i arsimit profesional nuk të pengon për të vazhduar më pas edhe studimet e larta.” 

Shkolla Profesionale Teknike në Korçë vijon të mbetet një nga institucionet më të preferuara të arsimit profesional, duke ofruar programe studimi të lidhura me kërkesat e tregut të punës dhe aftësi praktike për profesionet e së ardhmes. 

Gazetare: E. Fili 

/rtsh.al/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme