Kërkoi masë më të lehtë sigurie, GJKKO shtyn seancën ndaj ish-presidentit Ilir Meta

Aktualitet | 1 vit më parë

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka shtyrë për javën e ardhshme seancën ndaj ish-presidentit Iliri Meta, i cili ka kërkuar masë më të lehtë sigurie.

Shkak për shtyrjen e seancës u bë kërkesa ligjore e avokatit të Metës që çështja të gjykohet nga gjyqtari Erjon Çela, si gjyqtari i hetimit paraprak, dhe jo nga Erjon Bani, i cili në seancën e sotme ishte i gatshëm. Për pasojë, gjyqtari Bani shpalli moskompetencë.

Për mediat, avokati i Metës, Kujtim Cakrani tha se çështja do të vijojë kur të rikthehet gjyqtari Çela.

“Ne paraqitëm kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj presidentit të PL-së. U caktua gjyqtari Erjon Bani për ta gjykuar këtë çështje. Duke qenë se gjyqtari që ka hetimet parapake është Erjon Çela dhe ai ndodhet me leje, ne i kërkuam gjykatës që të shpallte moskompetencën dhe gjyqtari u tërhoq dhe mori vendimin për shpalljen e moskompetencës. Gjithashtu mungonin edhe prokurorët e çështjes, kishte ardhur një prokuror që i zëvendësonte. Në këto kushte ne nuk mund të bëjmë një proces për të kaluar radhën. Ne duam një proces të rregullt, me gjyqtarin që ka ndjekur hetimet dhe me prokurorët që kanë hetuar këtë çështje. Jemi në pritje që javën tjetër, kur të kthehet nga pushimet gjyqtari i hetimeve paraprake, do të zhvillojmë seancën”, tha Cakrani.

Avokati njoftoi se pavarësisht këtij zhvillimi, kanë trokitur në dyert e Gjykatës Kushtetuese, tek e cila kërkojnë interpretimin e ligjshmërisë së mbajtjes në burg të klientit të tyre.

“Pa dyshim që Gjykata do të marrë kohën e saj. Brenda tre muajve duhet të shprehet. I bie që brenda muajit tetor do të kemi një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese,” shtoi Cakrani.

Ai njoftoi se një tjetër përgatitje po bëhet edhe për t’u përballur në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për Metën rreth vendimit që u mor ndaj tij në muajin qershor, duke iu referuar vendimmarrjes së kësaj gjykate për rastin e Thoma Gëllçit.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit 2024. Ai u arrestua me urdhër të SPAK-ut. Ndaj Metës, SPAK ka ngritur dyshime për pasurinë e tij dhe për korrupsion e pastrim parash.

Gazetare: j.sh / Sonila Agostini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme