Këshilli për Mandatet dhe Imunitetin/ Opozita kërkon votimin pro kërkesës së SPAK për zv.kryeministren

Politikë | 8 muaj më parë

Ka nisur me debate mbledhja e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetit mes opozitës dhe mazhorancës, pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka kërkuar që mbledhja të jetë me dyer të hapura dhe mediat të jenë prezente për të qenë transparent me publikun. Ai ka hedhur akuza kundrejt mazhorancës sa i përket zvarritjes së mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, si dhe heqjes së imunitetit të zv.kryeministres Belinda Ballukut prej dy muajsh tashmë.

Ndërkohë socialistët kanë deklaruar se diskutimet që do të zhvillohen në mbledhjen e sotme, janë konfidenciale dhe i përkasin një sekreti hetimor.

Sipas zyrës së shtypit të PD-së, duke ju përgjigjur pyetjeve të kreut të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, prokurorët e SPAK janë shprehur se kanë konstatuar prova të reja penale për zv.kryeministren Belinda Balluku.

“Gjendja e saj procedurale është rënduar. Ka rrezik të prish prova dhe të kryejë krime të tjera.  Gjithashtu, konfirmoi se në datë 20 nëntor 2025 ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë. Po ashtu, prokuroria informojë se ka prova se disa persona “të fortë” (duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar) kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë kanë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit – transkripte të bisedave”, mësohet se ka deklaruar Bardhi në mbledhjen e Këshillit.

Po ashtu, sipas Bardhit, prokurorët e SPAK janë shprehur se zv.kryeministrja apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik/përndjekje politike nga prokuroria.

Po ashtu, gazetarja Omeri ka mësuar se pas pyetjes së shtruar nga deputeti socialist Ulsi Manja nëse personat që janë kërcënuar janë dëshmitarë apo të pandehur,  prokurorët e SPAK kanë deklaruar se janë edhe të pandehur edhe dëshmitarë të cilat nuk janë të pandehur.

Po ashtu, mësohet se prokurorët e SPAK kanë bërë me dije se nuk janë sekuestruar të gjitha provat.

“Balluku është në detyrë. Mekanizmi që po prish provat, duke takuar vartësit”, mëson gazetarja se kanë deklaruar prokurorët e SPAK.

Në përfundim të mbledhjes, 5 anëtarët e opozitës në Këshillin e Imuniteteve kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të votojnë pro miratimit të kërkesës së SPAK për arrestimin/heqjen e lirisë për zv.kryeministren.

“Përfundimisht, 5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, përfaqësues të opozitës, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit;

 R E K O M A N D O J N Ë:

 Deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës nr. 43019Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur: “Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për znj. Belinda BALLUKU”, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal”, thuhet në njoftim.

Në mbledhjen e sotme, sikurse dhe në atë që u zhvillua më 19 dhjetor, po marrin pjesë Kreu i SPAK, Klodian Braho, si dhe prokurorët e çështjes Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.

Dy muaj më parë, Gjykata Kushtetuese pezulloi efektet e vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në mbledhjen e Gjyqtarëve të zhvilluar më 12 dhjetor 2025, Gjykata shqyrtoi kërkesën e depozituar nga Kryeministri Edi Rama më 21 nëntor, i cili pretendonte se GJKKO kishte tejkaluar kompetencat duke cenuar imunitetin e anëtarit të kabinetit qeveritar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme