Gjykata Kushtetuese pezullon vendimin e GJKKO-së, rikthen në detyrë zv.kryeministren Balluku

Aktualitet | 10 muaj më parë

Gjykata Kushtetuese ka marrë sot një vendim të ndërmjetëm, duke pezulluar efektet e vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në mbledhjen e Gjyqtarëve të zhvilluar këtë të premte, më 12 dhjetor 2025, Gjykata ka shqyrtuar kërkesën e depozituar nga Kryeministri Edi Rama më 21 nëntor, i cili pretendonte se GJKKO kishte tejkaluar kompetencat duke cenuar imunitetin e anëtarit të kabinetit qeveritar.

“Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Balluku mbetet në detyrë deri në gjykimin final

Pika më e rëndësishme e vendimit të sotëm është pranimit i kërkesës së Kryeministrit për masën e sigurisë. Me shumicë votash, Kushtetuesja vendosi pezullimin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) të datave 19 dhe 22 nëntor 2025.

Këto vendime të GJKKO-së kishin urdhëruar “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për numrin dy të qeverisë.

Me vendimin e sotëm të Kushtetueses, kjo masë “ngrin”, çka do të thotë se Belinda Balluku vijon të ushtrojë funksionet e saj si Zëvendëskryeministre dhe Ministre, të paktën derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet me vendim përfundimtar.

“Me shumicë votash Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës.”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.   

Përveç pezullimit të masës ndaj Ballukut, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që kjo çështje të mos kalojë në dhomë këshillimi, por të shqyrtohet në seancë plenare publike.

Gjykata vlerësoi se “kemi të bëjmë me një çështje me interes të lartë publik”. Në këtë përballje juridike janë thirrur si palë të interesuara institucionet më të larta të drejtësisë dhe shtetit:

•     Prokuroria e Posaçme (SPAK);

•     Gjykata e Posaçme (GJKKO);

•     Kuvendi i Shqipërisë;

•     Presidenti i Republikës.

Ankimimi i Ramës

Kryeministri Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur një “mosmarrëveshje kompetence” mes Ekzekutivit dhe Gjyqësorit.

Në padinë e tij, Rama argumenton se “neni 103, pika 3 e Kushtetutës, i jep ministrit imunitet të barasvlefshëm me atë të deputetit”.

Sipas Kryeministrit, masa e pezullimit nga detyra e dhënë nga GJKKO cenon:

1.    Garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave;

2.    Parimin e ndarjes së pushteteve;

3.    Kompetencat e organeve që propozojnë dhe emërojnë ministrat (Kryeministri/Kuvendi).

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme