Klinikë dentare dhe fizioterapi, shërbime të reja në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër

Aktualitet | 9 muaj më parë

Dy shërbime të rëndësishme shëndetësore tashmë ofrohen brenda institucionit të Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër. 65 të moshuarit që trajtohen në këtë institucion marrin pranë ambienteve të tyre shërbimin dentar dhe atë të fizioterapisë, duke shmangur kështu lëvizjet jashtë institucionit.

Të moshuarit e vlerësojnë këtë përmirësim, duke theksuar se kushtet dhe kujdesi ndaj tyre janë përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit.

Krahas investimeve nga institucionet qendrore dhe vendore, në përmirësimin e kushteve në struktura të tilla kontribuojnë edhe individë dhe biznese. Një shembull konkret është ngritja e klinikës dentare brenda institucionit, falë mbështetjes private.

E pranishme në inaugurimin e shërbimeve të reja, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes të gjitha hallkave për të garantuar standarde sa më të larta kujdesi për të moshuarit.

Shtimi i këtyre shërbimeve përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së jetës për të moshuarit, duke u ofruar atyre jo vetëm trajtim shëndetësor më të lehtë dhe të aksesueshëm, por edhe më shumë dinjitet dhe siguri në përditshmërinë e tyre.

Gazetar: A. Hoti    

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme