Klosi: Erion Braçe zë i fortë dhe pjesë e pandarë e PS
Deputeti i Partisë Socialiste e Shqipërisë, Blendi Klosi, njëherazi Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, ka vlerësuar figurën dhe kontributin e Erion Braçe në studion e emisionit “Trialog” në RTSH 1.
Klosi theksoi se Braçe përfaqëson një nga vlerat më të rëndësishme të Partisë Socialiste, duke nënvizuar eksperiencën e tij shumëvjeçare në Parlament dhe rolin aktiv në jetën politike të vendit.
Sipas tij, angazhimi i Braçes në procesin e rienergjizimit të partisë është një tregues i qartë i përkushtimit ndaj forcës politike dhe strukturave të saj në të gjithë vendin.
“Kjo është vlera e Partisë Socialiste, nuk është një ngjarje për partinë tonë ku realisht element të caktuar përpiqen për kontributet e tyre, për atë pjesë sesi ka funksionuar për gjërat që përfaqësojnë, për gjërat për të cilat kanë luftuar dhe Erioni është deputeti i parlamentit të Shqipërisë prej 30 vitesh, është ai që ka më shumë mandate se çdo njëri nga ne dhe padyshim është vlerë e jashtëzakonshme e partisë sonë që ka ndjesi që ti afrohet këtij procesi të cilin ne kemi filluar tashmë, atë të rienergjizimit të partisë kudo në Shqipëri si një mundësi për të qenë pjesë e kësaj përgatitje për garën e ardhshme elektorale. Kam bindjen që Erioni i afrohet strukturës dhe është prej kohësh pjesë e jetës aktive të qytetit”, u shpreh Klosi.
Më tej, Klosi e cilësoi Braçen si një zë të fortë brenda PS-së, i cili ka shprehur vazhdimisht problematikat, por gjithmonë duke respektuar forumet dhe rregullat e brendshme të partisë.
“Erioni është pjesë jo vetëm e palëkundur e familjes tonë por është dhe nga ata zërat të fortë të PS që problematikat gjithmonë i ka shprehur por kur ka ardhur puna që ne i diskutojmë brenda mureve të PS është nga ata njerëz që e vlerëson partinë, strukturën, statutin”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




